Edhe pse ende nuk dihet se kur do t rikthehet në Kuvend marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi, kryeministri, Ramush Haradinaj ka thënë se pavarësisht kur ndodh një gjë e tillë nuk pret ndonjë mrekulli, kjo për shkak se mungojnë 2/3 e votave për ta ratifikuar.
“Për çështjen e kufirit fatkeqësisht është situatë shumë e papërshtatshme. Nuk na pëlqen që jemi në këtë realitet, sepse është një marrëveshje që duhet arritur nga dy qeveritë. Në Kosovë është një pjesë e shoqërisë sonë që besojmë se është bërë gabim. Si rezultat i kësaj është se Parlamenti është ndarë, andaj nuk ka dy të tretat për këtë”, ka thënë Haradinaj, gjatë një interviste në emisionin “New Bugajski Hour”, në RTK
Ai ka thënë se qeveria e ka parë krijimin e një komisioni të ri si mundësi për zbulimin e së vërtetës për demarkacionin me Malin e Zi.
“Ajo çfarë kam bërë është se nuk dua ta mbaj atje përgjithmonë, dhe të shpresoj se një ditë me ndonjë mrekulli t’i kemi dy të tretat. E ndërmora, pra, një qasje jo shumë të përkrahur nga partnerët ndërkombëtarë, andaj e lirova Komisionin e kaluar – jo unë, por ne, Qeveria, dhe e krijuam një të ri, dhe u dhamë mundësinë ta zbulojnë të vërtetën për marrëveshjen për vijën e kufirit”, ka thënë Haradinaj.
Kryeministri më tej ka shtuar se në mmomentin që do ta ketë rezultatin do t’i qasen këtij problem ku do të diskutojnë me miqtë ndërkombëtarë por edhe me faktorin partitë politike.
“Sapo ta kenë rezultatin, menjëherë do t’i qasemi. Fillimisht me partnerët politikë në Kosovë, dhe me partitë politike, përfshirë edhe ato të opozitës, që ta dimë se ku jemi. Por, njëkohësisht, Uashingtoni dhe miqtë e tjerë, ose evropianët, të dinë që ky është realiteti ynë, dhe në atë rast do t’i qasemi Malit të Zi dhe t’i tregojmë për zhvillimet tona të reja. Nëse mendojnë që është në rregull të rinegociojmë, po – nëse jo, mund të përfundojmë në arbitrazh”, ka deklaruar Haradinaj. /tesheshi.com/