Kryeministri Rama e cilësoi si “gjynah” faktin që politika shqiptare, për ca gjëra bazike nuk merret vesh vetë, duke detyruar kësisoj ndërkombëtarët që të hyjnë e dalin në seli partish në kërkim të konsensusit. Kjo, siç po ndodh me Reformën Zgjedhore.
“Më vjen keq që në 2020 të ketë akoma ambasadorë për të bërë marrëveshje, negociatë, apo diskutim mbi rregullat e lojës. Unë mendoj që do të duhet ta kishim bërë vetë këtë, por duke qenë se palët e tjera kanë nevojë për këtë element edhe për të pasur garanci, nuk e di se çfarë, nuk ka problem, u jam mirënjohës miqve, për të bërë më të mirën për të lehtësuar komunikim, por nuk kam koment sot. Mendoj që ka akoma të tjerë që duhet të flasin.
Gjynah se humbasim kohë dhe energji, lodhim njerëzit. I lëmë hapësirë gënjeshtrave, fantazive në media me informacione të qëllimshme. Do të ishte normale që të uleshim, merreshim apo jo vesh, kjo është gjë tjetër”, tha shefi i qeverisë.
Sa për reformën, Rama tha se ajo e ka arritur synimin, e tani duhet vetëm konsensusi.
“Ne mendojmë se produkti është aty i plotëson të gjitha kushtet. Në një proces, të gjitha palët kërkojnë gjithçka, ka palë që mendojnë se me ligjin e reformës fitohen zgjedhjet, por nuk është e vërtetë, fitohen me votën e popullit. Apo ky apo ai sistem, të bëjë mrekullira, është thjeshtë çështje garantimi standardesh”, theksoi Rama. /tesheshi.com/