Donald Trump e ka kthyer në një show personal, debatin e parë ndërmjet 10 kandidatëve më të votuar të Partisë Republikane Amerikane.
I zhvilluar në Cleveland të shtetit të Ohio-s, debati, ka pasur si kryefjalë pikërisht multimiliarderin nga New York-u, i cili ka trembur votuesit e djathtë, se nëse nuk do ta përkrahin atë, atëherë Trump do të kandidojë si i pavarur, duke ndihmuar kështu Hillary Clinton-in.
Duke përdorur antipolitikën si armë populiste dhe frikën ndaj emigracionit klandestin, Trump, në sallën e debatit ka qenë realisht protagonist. Thuajse të gjitha mediat amerikane flasin për një fitore të tij, duke qenë se ai e njeh në mënyrë të shkëlqyer reklamën dhe median.
Trump po iu imponon votuesve të djathtë se ai është zgjidhja, edhe pse me antipolitikë. Duke përdorur natyrisht frikërat e njerëzve. Në mënyrë të qartë dhe pa ekuivok, Trump tha se do të kompjonte Victor Orban-in në Hungari.
“Do të ndërtoj një mur në të gjithë kufirin me Meksikën, ndërkohë që do të bëj edhe një portë të bukur ku do të hyjnë në mënyrë legale çdo kush dhe në radhë të parë emigrantët e ligjshëm”, tha ai në mënyrë të qartë dhe askush nga rivalët e tij nuk e kundërshtoi nga frika se do të humbnin e përkrahjen e elektoratit që kërkon të diskutohet mbi emigracionin e paligjshëm.
Rivalët e Trump, duke nisur nga Jeb Bush, ish-Guvernatori i Floridas dhe vëllai i ish-presidentit kërkuan që ta izolojnë, ta dobësojnë.
Por në realitet, “pasaniku me flokë të kromuara” siç e thërrasin, ka luajtur deri në fund kartën e një njeriu që nuk vjen nga sallonet e politikës, një trend mjaft tërheqës për publikun. Por edhe kartën e “outsider”-it pra jo politikanit që sakrifikon për partinë.
Trump, i pyetur në mënyrë direkte se a do ta japë mbështetjen për një kandidat republikan nëse nuk fiton zgjedhjet paraprake, ka refuzuar në mënyrë direkte të japë këtë mbështetje, duke e thënë hapur se republikanët nuk kanë rrugë tjetër.
Dhe u ka kujtuar fantazmën e Ros Perot-it në vitin 1992, i cili kandidoi si i pavarur dhe ndihmoi Bill Clinton-in të fitojë kundër Bushit të madh.
Debati televiziv i mbrëmshëm ishte rasti i parë për publikun amerikan që të njohë kandidatët e njërës prej partive. Atë të krahut të djathtë. Në fakt, PR-ja gjithsej ka 17 kandidatë, por Fox News, i cili e realizoi atë iu desh të zgjidhte vetëm 10 më të votuarit për arsye praktike. Ndërkaq në pjesën e dytë të debatit janë përballur 7 më të votuarit në sondazhin e zhvilluar direkt.
Pikërisht në këtë të pjesës së dytë ka pasur një shikueshmëri të mirë Carly Fiorina, ish-drejtoreshë ekzekutive e Hewlett Packard, si e vetmja grua në garë, e cila sipas sondazheve të para paraqitet mirë dhe mund të bëhet protagoniste e sezonit të primareve, në mënyrë që republikanët të kenë Hillary-n e tyre./tesheshi.com/
Përgatiti: Y.Pata
Kush janë 10 kandidatët më të votuar?!
1. Manjati Donald Trump është në krye të sondazheve me 23,4%
2.Jeb Bush, djali dhe vëllai i dy Presidentëve të SHBA ka mbledhur 12% të preferencave të publikut republikan.
3.Guvernatori i Wisconsin-it, Scott Walker mori 10,2% të pëlqimit.
4. Mike Huckabee, ish-Guvernatori i Arkansas-it, ka 6,6% të preferencave.
5.Ben Carson është i vetmi kandidat me ngjyrë i “Grand Old Party) dhe ka 5,8% të pëlqimit.
6.Ted Cruz është kandidati i pjesës së ekstremit të djathtë të republikanëve, e ashtuquajtura Tea Party dhe ka pasur 5,4% të pëlqimit.
7.Rand Paul, ka qenë senator i shtetit të Kentucky në 2010: ka 5,4% të pëlqimit.
8. Marco Rubio ka qenë senator në Florida: ka 5,4% të pëlqimit.
9. Chris Christie është Guvernator i New Jersey: ka 3,4% të pëlqimit.
10.John Kasich është Guvernator i Ohio-s: ka 3,2% të preferencave.