Ish-komandanti ushtarak amerikan, e ish-shefi i CIA-s, gjenerali David Petraeus, ka shkruar për një gazetë angleze, ku mes të tjerash i ka këshilluar britanikët të mos votojnë për daljen nga BE-ja në referendumin e qershorit.
Petraeus mendon se Brexit-i do ta dobësonte sigurinë e BE-së, siç do të dobësonte dhe pozitën e Britanisë së Madhe.
“I inkurajoj miqtë e mi britanikë të mendojnë dy herë përpara se të tërhiqen prej një nga institucionet më të rëndësishme që i siguron mbështetjen fuqisë perëndimore, Bashkimi Europian.”
“Një Brexit do ta reduktonte gjithashtu aftësinë e konsiderueshme të Britanisë së Madhe për të ndikuar në të ardhmen e Europës dhe për ta udhëhequr atë; kjo do ta zvogëlonte pa dyshim dhe ndikimin britanik në skenën botërore,” ka shkruar Petraeus në Sunday Telegraph.
Ish-shefi i CIA-s është i mendimit se zgjidhja e problemeve të sigurisë së Britanisë nuk do bëhej më e lehtë pas Brexit-it, e se dalja nga BE-ja do ta bënte botën edhe më të rrezikshme, më të vështirë për t’u administruar.
Dalja e Britanisë nga BE-ja dhe referendumi që do të vendosë për këtë e që do të zhvillohet në qershor janë pandërprerë në qendër të debatit. Vetë qeveria britanike në shumicën e saj është pro qëndrimit në BE, por jo të paktë janë dhe mbështetësit e Brexit-it. /tesheshi.com/