Njohësi i çështjeve të Ballkanit, profesori amerikan Daniel Serwer, e ka quajtur si të çuditshëm emërimin e Richard Grenell si të dërguar të posaçëm të presidentit Trump për dialogun Kosovë – Serbi, si dhe e lidh atë, si dhe emërimin e Matthew Palmerit si të dërguar special, si një lëvizje për të mundësuar ndryshimin e kufijve.
Siç thotë ai, edhe pse Grenell është diplomat dhe ambasador, ai është duke përfaqësuar qartë Shtëpinë e Bardhë.
“Vetëm disa javë më parë, ata e emëruan Matthew Palmer si përfaqësues special për Ballkanin. Z. Grenell ka një renditje më të lartë se Palmer për dy arsye – ai është një ambasador dhe ka lidhje direkte me Shtëpinë e Bardhë. Eshtë gjithashtu e qartë për mua që ata planifikojnë të marrin përsipër rolin e Përfaqësuesit Special për Ballkanin, që do të merret me Beogradin dhe Prishtinën. Eshtë vërtet e çuditshme.
Unë mendoj se është një aluzion i një përpjekjeje për të ringjallur idenë e shkëmbimit të territorit midis Beogradit dhe Prishtinës, e cila është një ide e tmerrshme që vdiq nga një vdekje natyrore disa muaj më parë dhe është një plan i keq për të provuar për ta ringjallur atë”, shkroi Serwer.
Grenell është politikisht afër me John Bolton, ish-Këshilltar i Sigurisë Kombëtare të Trump, i cili tha vitin e kaluar se Shtetet e Bashkuara nuk do të kundërshtojnë shkëmbimet territoresh nëse Beogradi dhe Prishtina bien dakord.
Disa analistë gjithashtu supozojnë se Grenell është një mbështetës i kësaj ideje, të cilën Gjermania dhe kancelarja Angela Merkel kundërshtojnë me forcë.
Serwer beson që Grenell nuk do të pranojë argumentet e Gjermanisë, por do të përpiqet të imponojë idenë e shkëmbimit të territorit.
“Unë besoj se ata do të përpiqen ta imponojnë atë në Gjermani, Kosovë dhe Serbi, dhe kundërshtarët më të fortë të kësaj ideje në Kosovë janë serbët që jetojnë në jug të Ibrit. Eshtë e çuditshme që ata përpiqen të imponojnë një ide kaq të keqe, por ajo që i motivon është vrasja e ‘dy mizave të Clintonit’ me një goditje – Kosovës dhe Bosnjës, një arritje domethënëse nëse dëshiron të kënaqësh Shtëpinë e Bardhë. Do të jetë gjithashtu një konfirmim i zhvendosjes së politikës amerikane nga zgjidhjet liberale-demokratike të bazuara në të drejta të barabarta, te zgjidhje etno-nacionaliste bazuar në ndarjen e grupeve etnike. Nuk është një zgjidhje sipas mendimit tim, por kam frikë se Shtëpia e Bardhë është e vendosur ta imponojë atë”, thotë Serwer.
Ai dyshon se Grenell dhe Matthew Palmer do të jenë në gjendje të punojnë njëkohësisht në ndërmjetësimin midis Beogradit dhe Prishtinës. /tesheshi.com/