Teksa po mbahej mbledhja e Këshillit të Sigurimit të OKB-së në Nju Jork, një dokument i ambasadores së Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku, po shfaqej në ekran me kërkesën e Ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiç.
Daçiç kishte shfrytëzuar arkivin e dokumenteve të sekuestruara nga Serbia gjatë luftës në Kosovë për të pretenduar se zonja Çitaku është realisht shtetase e Serbisë.
“Ajo asnjëherë nuk ka kërkuar të anuloj shtetësinë serbe”, tha ministri i jashtëm serb duke iu referuar dokumentit të vjedhur në periudhën kur edhe ai shërbente si ndihmës i Millosheviçit.
Reagimi i Çitaku në Twitter ishte i shpejtë, ku ajo tha se certifikata e saj e lindjes është vetëm një nga mijëra dokumentet që qëndrojnë paligjshëm në Serbi, duke kujtuar se pensionet, dokumentet dhe mijëra artefakte, herët apo vonë do t’i kthehen vendit.
“Ju u munduat të më poshtëronit, por dështuat kaq mjerisht”, tha ajo, duke shtuar se është në atë ulëse për të qëndruar, pavarësisht qëndrimit të tij. /tesheshi.com/