Ish-presidenti amerikan Joe Biden duket se ka pasur vështirësi të kujtojë pika kyçe nga jeta e tij gjatë një interviste me një hetues të Departamentit të Drejtësisë dy vjet më parë, sipas një regjistrimi audio të siguruar nga Axios.
Regjistrimi tregon se politikani demokrat kishte vështirësi të kujtonte vitin kur la postin e zëvendëspresidentit ose datën e vdekjes së djalit të tij, Beau Biden.
Ndihmësit e Shtëpisë së Bardhë në atë kohë mohuan që presidenti të kishte probleme të tilla me kujtesën. Biden ishte marrë në pyetje nga ekipi i këshilltarit special Robert Herr rreth arsyes pse mbante dokumente të klasifikuara në shtëpinë dhe ish-zyrën e tij.
Në një raport të shkurtit 2024 që shkaktoi zemërimin e Shtëpisë së Bardhë dhe demokratëve, Herr e përshkroi Bidenin si një “burrë të moshuar me qëllime të mira dhe me kujtesë të dobët”.
Pavarësisht këtyre zbulimeve, prokurori vendosi të mos ngrinte padi, edhe pse u zbulua se Biden kishte mbajtur materiale të klasifikuara.
Administrata Biden refuzoi vitin e kaluar ta publikonte kasetën, duke e quajtur atë “material të zbatimit të ligjit të mbrojtur nga Kushtetuta” dhe duke pretenduar se republikanët po kërkonin ta “instrumentalizonin” atë për “qëllime të mundshme politike”.
Në të njëjtën kohë, sipas BBC-së, një libër i ri pretendon se Shtëpia e Bardhë e fshehu gjendjen e Biden-it, e cila thuhet se ishte aq e keqe vitin e kaluar sa ndihmësit e tij po diskutonin mundësinë e vendosjes së tij në një karrige me rrota.
Ai gjithashtu dyshohet se nuk e njihte aktorin George Clooney – një mbështetës i njohur i demokratëve – ose nuk mund të mbante mend emrat e këshilltarëve të tij kryesorë, sipas librit “Original Sin” nga Jake Taper dhe Alex Thompson. /tesheshi.com/