RB Lajpcigu bëhet e para skuadër debutuese në Bundesligën gjermane që nuk pëson humbje në 11 takime që në nisje të aktivitetit.
Gjashtë fitore rresht për ekipin e krijuar shtatë vite të shkuara me mbështetjen e plotë të Red Bullit. Një debutim fantastik në Bundeligë, një kurbë në ngjitje e pabesueshme në pak vite, nga nivelet më të ulëta të futbollit gjerman në majat e tij.
Dy herë është gjetur mbrëmë në humbje Lajpcigu ndaj Bajer Leverkusenit në transfertë, për të fituar gjithsesi 2-3.
Vendasit e “aspirinave” kanë çuar dëm dhe një 11-metërsh, për t’u dorëzuar më pas.
Kampl e ka kaluar Leverkusenin në epërsi që në minutën e parë. Por tre minuta më vonë vihet barazpesha me një autogol të Baumgartlinger-it. Brandt u jep avantazhin edhe njëherë vendasve në mbarim të pjesës së parë. Çalhanoğlu nuk arrin ta dërgojë topin në rrjetë nga pika e bardhë e penalltisë në minutën e 54-t. Nga këtej ka nisur dhe furia e miqve, që shënojnë në minutën e 67-të dhe të 81-të me anë të Forsberg-ut dhe Orban-it.
Lajpcigu ngjitet kështu në krye të renditjes së Bundesligës. Mjafton që Bajerni i Mynihut të mos fitojë sot ndaj Borusias së Dortmundit, dhe debutuesit do të jenë në gjendje ta mbajnë vendin e parë më së paku gjer në javën e ardhshme. /tesheshi.com/