Ditë pas kthimit të kreut demokrat Basha nga SHBA, del në dritë i pari produkt real i tij tej oqeanit, e që është një intervistë e dhënë në një media online, që padyshim se për shumicën e shqiptarëve dëgjohet për herë të parë: Breitbart.
Në tre ditë, si në Zërin e Amerikës e si në mediat shqiptare, Basha e ka patur të pamundur të artikulojë qoftë dhe një akt a person faktit, si ilustrim i mbështetjes ndaj tij apo kauzës që ai përfaqson me një çadër sfiduese në bulevardin kryesor të Tiranës. Ai, thjesht është mjaftuar me deklarime të rrumbullakosura e plot patetizëm, për një mbështetje amerikane, e cila, tej çadrës, tej militantizmit naiv brenda saj, vështirë se ndikuar në mbushamendjen e opinionit. Jetojmë të 27 vit të hapjes me botën, dhe kjo së paku na ka mësuar se si funksionin diplomacia apo politika në raport me ndërkombëtarët.
“Keni mbështetjen e ekipit fitues të Presidentit Trump”, ka qenë, gjithsesi e vetmja e frazë e Bashës ku përmendej një emër konkret, ai Trump-it, ndërsa fjala “ekip” notonte në evazivitet.
Por siç u bë e njohur këtë të martë, Basha ka lobuar – thënë ndryshe paguar – një intervistë në gazetën online të ekstremit të djathtë breitbart.com e cila është në pronësinë e këshilltarit-strategjist të Trump-it, Steve Baner.
Gazeta që ishte një nga asetet e rëndësishme që Trump të merrte mbështetjen e pjesës më ekstreme të opinionit publik amerikan, njihet në SHBA jo si një media normale e mirëfilltë, por si një blog racist dhe që i drejtohet shtresës së paarsimuar të të bardhëve të Amerikës dhe që sulmon njerëzit me ngjyrë, muslimanët dhe natyrisht liberalët apo mbështetësit e tyre.
George Soros ka qenë një nga më të sulmuarit nga ky blog dhe jo më kot Basha ka zgjedhur këtë faqe që të bëjë deklaratën se “Edi Rama është lideri më i rrezikshëm që urren Donald Trump-in në Europë” dhe se “Edi Rama është investimi më i rëndësishëm i Sorosit në Europë”.
Në këtë intervistë që botohet me okelion “Exlussive” – që në një këndvështrim profesional a thua se vërtet përbën një scoop mediatik, por që nga ana tjetër lë të hapur përshtypjen se është e paguar – theksohet se Lulzim Basha ka marrë pjesë në një darkë që presidenti Trump ka mbajtur në SHBA për mbledhjen e fondeve me senatorët dhe kongresmenët amerikanë. E habitshme që në tre ditë nuk është thënë kjo gjë dhe se nuk është ilustruar me foto. Por që foto mund të ketë dhe nuk është asfare e habitshme të publikohet këto ditë. Nga ana tjetër, darka të tilla, ku dhe aty ka pagesë, nuk janë evenimente me peshë politike, por organizime rituale me përbërje njerëzore nga më të ndryshmet, nganjëherë dhe nga më të çuditshmet.
Nga ana tjetër, lobimi që Basha të shprehej në Breitbart ka prodhuar edhe një fakt komik, pasi siç është shkruar në artikull, ata Bashën e dinë akoma si kryetar i bashkisë së Tiranës, duke qenë se aty shkruhet se “Lulzim Basha është kryetar i bashkisë së Tiranës qytetit më të madh të vendit dhe lider i opozitës”.
Siç duket Podesta i ka dërguar gazetës në fjalë materialet e gatshme që ka pasur për kreun e PD-së që në fushatën e vitit 2011 kur ata u angazhuan jo vetëm për ta mbështetur gjatë zgjedhjeve, por më e rëndësishme gjatë ditëve kur KQZ-ja mori vendimin fatal për të numëruar votat në kutinë e gabuar.
Dhe e gjitha kjo, nga një pjesë e mediave pranë opozitës po serviret si një arritje të rëndësishme dhe pjesëmarrje në darkë së bashku me presidentin Trump.
Duhet ditur se Breitbart vazhdon të mbajë të njëjtin temp edhe tani, pavarësisht se fushata është lënë pas, kryesisht për të mbajtur elektoratin në një dimension më të lidhur me presidentin.
Me një vështrim të thjeshtë konstaton se dhe linja editoriale sa i përket politikës së jashtme, është ajo që vjen era populizëm apo “Brexit”, ku një vend të veçantë ka Beppe Grillo, Le Pen etj.
Ama duhet thënë se me Shqipërinë nuk merret Donald Trump personalisht, por Departamenti i Shtetit, cili zgjatim të saj diplomatik, faktik e logjik ka ambasadën në Tiranë.
Ajo godinë e verdhë që ndodhet në Rrugën e Elbasanit, është një copës Amerike e cila në të shumtën e rasteve dhe për disa çështje, ta kursen mundin për të fluturuar me orë të tëra drejt Uashingtonit. /tesheshi.com/