Presidenti Trump është kritikuar ashpër për aktin e tij të ripostimit të tre videove të dhunshme anti-muslimane në llogarinë e tij të Twitter, shkruan CNN.
Por pse Twitter lejoi postimin e tyre në radhë të parë?
Videoja anti-muslimane u postua fillimisht nga Jayda Fransen, nënkryetarja e partisë së ekstremit të djathtë “Britania e Para”. Dy prej tyre paraqesin sulme të dhunshme, kurse e treta paraqet shkatërrimin e një statuje të Virgjëreshës Mari.
Ato gjithashtu duket se shkelin kushtet e përdorimit të publikuara nga Twitter. Ai i paralajmëron përdoruesit: “Ju nuk mund të promovoni dhunë, kërcënim ose ngacmim të njerëzve të tjerë në bazë të racës, etnisë, origjinës kombëtare, orientimit seksual, gjinisë, identitetit gjinor, përkatësisë fetare, moshës, aftësisë së kufizuar ose sëmundjes serioze”.
I pyetur se pse nuk janë fshirë postimet origjinale, një zëdhënës i Twitter (TWTR, Tech30) tha:
“Për t’u siguruar që njerëzit të kenë mundësi të shohin secilën anë të një çështjeje, mund të ketë raste të rralla kur ne lejojmë përmbajtje ose sjellje të diskutueshme të cilat në një mënyrë mund të shkelin rregullat tona, sepse ne besojmë se ekziston një interes i ligjshëm publik për disponueshmërinë e tyre”.
“Çdo situatë vlerësohet për secilin rast dhe përfundimisht vendoset nga një ekip ndërfunksional”, shtoi zëdhënësi.
Zëdhënësi nuk pranoi t’i përgjigjet pyetjeve shtesë nga CNNMoney.
Twitter duket se ka pranuar, megjithatë, se postimet përmbajnë “material të ndjeshëm”, që do të thotë se ato përmbajnë “disa forma të dhunës ose përmbajtjes vetëm për të rritur”.
Asnjë nga videot nuk u filmuan në Britani të Madhe dhe të dyja videot datojnë në vitin 2015 dhe 2013.
Njëra video pretendon të paraqesë një të ri “emigrant musliman” duke sulmuar një djalë në paterica. Shërbimi i Prokurorisë holandeze tha se incidenti ndodhi në maj dhe i dyshuari ishte lindur dhe rritur në Holandë. Ai nuk pranoi të komentonte mbi fenë e tij, sepse ai ishte i mitur.
Twitter, i cili promovon fjalën e lirë, është kritikuar për mosmarrjen e masave efektive kundër gjuhës së urrejtjes dhe ngacmimit në platformën e saj.
CEO Jack Dorsey premtoi muajin e kaluar se ai do të zbatojë rregulla më agresive për të ndaluar ngacmimet.
Ndryshimet përfshinin plane për të trajtuar imazhet e urrejtjes dhe simbolet e urrejtjes si “përmbajtje të ndjeshme”. Twitter (TWTR, Tech30) gjithashtu tha se do të ndërmarrin veprime kundër organizatave që përdorin dhunën për të avancuar qëllimet e tyre.
Fransen u gjet fajtor për ngacmime të rënduara fetare në nëntor 2016, pasi abuzonte me një grua muslimane të veshur me hixhab.
Trump ka shkaktuar kritika të mëdha në Britani për ripostimin e zëvendës-udhëheqëses së “Britania e Para”.
Kryeministrja britanike Theresa May dënoi Trumpin, duke thënë se ka “gabuar” me shpërndarjen e videove të një grupi që “kërkon të ndajë komunitetet përmes përdorimit të rrëfimeve të urrejtshme që mbajnë gënjeshtra dhe ushqehen me tensione”.
Udhëheqësi i opozitës Jeremy Corbyn i quajti mesazhet “të neveritshme, të rrezikshme dhe kërcënim për shoqërinë tonë”.
Trump gjithashtu u përball me një breshëri kritikash në parlament që ishte e pashembullt për një president të SHBA.
Ligjbërësit e quajtën atë “racist”, “fashist” dhe “shpirtlig”. Njëri madje tha se Trump duhet të akuzohet për nxitje të urrejtjes racore nëse ai hyn në Britani të Madhe.
Përgatiti: Jeton Zenuni – /tesheshi.com/