Aleksandër Çipa, pak kohë më parë në një analizë për tesheshi.com, parashikonte një tronditje të elitës politike në vend pas zgjedhjeve të 25 qershorit. Në fakt ndodhi, por sot ai analizon demokracinë direkte që po promovon Edi Rama online, të cilën gazetari i njohur e shikon edhe si rrezik humbje të kontrollit publik. Çipa i frikësohet asaj që e quan anonimo-kraci, por që flet edhe për vettingun, për të cilin nuk është shumë entuziast…
Kryeministri ka nisur tashmë atë që e quan si bashkëqeverisje me qytetarët, duke krijuar një rrjet direkt nëpërmjet komunikimeve online. Si e shikoni ju populizëm apo një mënyrë e ushtrimit të demokracisë direkte?
Është thjeshtë populizëm. Ky nuk është një kryeministër që vjen në mandatin e qeverisësit pas një kohe në opozitë, as nga jashtë politikës, por nis mandatin e dytë. Rruga populiste e konsultimit është formë e shëmtuar me reminishenca të vjetëruara dhe të dala kohe.
Kjo është metodologji e gabuar.
Ju thoni se është populizëm, por nga ana tjetër kemi raste të demokracisë direkte online si në BE apo SHBA ku reagimi i qeverisë cilësohet si sensibilitet normal ndaj qytetarëve…
Unë kam drojën se në Shqipëri po instalohet anonimo-kratura. Këtë e inicioi i pari, politikani jetëgjatë që e mbylli ciklin e tejzgjatur të udhëheqësisë pas 26 vjetësh.
Më konkretisht kreatura e fundit e zotit Berisha është “qytetari dixhital”. Nuk është thjeshtë një gjetje virtuale, por një mekanizëm diabolik.
Këtë kreaturë të cilën e mishëron përmes hedhjes në llogarinë personale të Facebook-ut të gjithfarë akuzave, fakteve të thashethemuara dhe natyrisht edhe reale, e marrin mediat, e publikojnë pa kriter dhe pa parime deontologjike. Pasi realizohet ky cikël publikimi dhe qarkullimi, shoqata apo eksponentë të me nder shoqërisë civile e ndërtojnë si një data baze dhe raportim në netvvork-e të ndryshëm, përfshirë në to edhe organizma apo zyra të huaja, lehtësisht të manipulueshme. Këtë model po e huazon në mënyrën e vet kryeministri për mandatin e dytë gjatë të ashtuquajturit tur të ndërtimit të koalicionit me qytetarët. Kjo formë alla shqiptare nuk ka lindje me vendet që iu referuat ju.
Unë po flas për përfshirjen qytetare, sepse kjo e nisur nga Rama nuk publikohet, por nga një staf i posaçëm përpunohet dhe merret si opinion direkt nga njerëzit…
Natyrisht kryeministri Rama është një karate anti-plagjiature. Mirëpo në vendin ku u shfaros demokracia e përfaqësimit dhe ajo e meritokracisë, duket qesharak pretendimi për mëkëmbjen e demokracisë së përfaqësimit qytetar(!).
Çështë ky koalicion me qytetarët?(!) Këto janë stilema maoceduniste. Nuk mund të sillesh në këtë mënyrë me skeletin e korruptuar dhe hierarkinë e molepsur të sistemit spitalor, hipotekor, apo sistemeve të tjera. Qeveria është politike dhe votat janë marrë nga një forcë politike.
Zoti kryeministër, nuk je në mandatin e parë, por je në mandatin e dytë. Nuk të ndihmon dot asnjë alibi. Nuk duhet të konsumohet energji me deklarime dhe patetikë për ndëshkim të së keqes. Nevojitet shëndoshja e së mirës dhe shndërrimi në shumicë i saj. Por për ta bërë këtë vlen më shumë respecti për teknokratët dhe ekspertizën, aq më tepër, hapësirë dhe dëgjueshmëri për këshillimin.
Madje edhe ideja e kryeministrit për thjeshtëzim të arkitekturës së kabinetit në 10 ministri, fakteqësisht nuk po kalon e përfshihet në axhendën e diskutimit me koalicionin e qytetarëve.
Kemi thënë këto 20 vjet se në shoqëri ka disa kasta që minojnë vendimmarrjen demokratike dhe ndërmjetësojnë në mënyrë klandestine me të zgjedhurit.
Kur krijohen mekanizma që duket se nuk janë vendimmarëse po pjesëmarrëse si kjo që po diskutojmë ne i anatemojmë. A nuk do të ishte më mirë ta provojmë?
Të gjithë jemi lodhur nga statusquoja. Të gjithë verbalisht dhe publikisht e duam këtë ndryshim. Mirëpo, esperimentet në kurriz të qytetarëve dhe me institucionalizmin në këtë vend, kanë pasur kosto të rënda dhe fatkeqësisht kanë sjellë humbje të pariparueshme. Kryeministri Edi Rama ka një meritë për të cilën në një kohë të ardhme do të flitet më shumë. Po rikthen ndërgjegjen ligjore tek qytetarët. Fatkeqësisht nuk pretendoj se ja del kësaj ende tek kasta, oligarkët, apo aq më keq, tek grupet potenciale kriminale. Deri sa të vendoset ky gravitet edhe në këto grupe që i renditëm, kryeministrin Rama mund ta quajmë në detyrë por jo detyrë-realizuar.
Thatë që s’po diskutohet ideja për reduktimin e strukturës së qeverisë.
Është folur edhe për emra. Sipas jush si do ta shihte apo cilat janë pritshmëritë publike për kabinetin “Rama 2”?
Mendoj se reduktimi i ministrive është formulë që i përshtatet Shqipërisë. Aq më tepër në një mandat që qeveriset nga një parti.
Sepse kjo mund të sjellë përqëndrim funksional të administratës qeverisëse dhe për rrjedhojë edhe asaj publike në tërësi. Mirëpo, kjo duhet parë me shumë vëmendje që të mos krijojë vakume ligjore e kushtetuese, të mos gjenerojë përplasje dhe ineficenca institucionale.
Njëherësh, bashkimi i disa ministrive mund të mavijosë çështje kruciale si përplasja e administratës arsimore me atë të kulturës, apo edhe isntitucione të memorialistikës dhe kërimit shkencor. Përvojat e shkuara në funksionimin e ministrive të bashkuara nuk ka arsye të riciklohen në kohën e sotme. E them këtë sepse kjo shoqëri e ka ricikluar fatalisht degradimin e institucioneve të identitetit me trashëgiminë kulturore në kësi reformash të kohëve të shkuara.
Zoti Çipa, fiks një vit më parë, në një analizë për situatën politike duke iu referuar zgjedhjeve parlamentare, paralajmëruat një tërmet në kastën politike shqiptare.
Sot ne kemi si panoramë: LSI-në tashmë jashtë pushtetit, me gjasa të paktën për 6 vjet, pra 4 në pushtetin qendror dhe 2 në pushtetin vendor. Ramën me qeveri më vete. Lulzim Basha nga ana tjetër ka spastruar thuajse krejt PD e vjetër. Doktori, me elementë pranë tij, edhe brenda familjes e sulmon egërsisht kreun e PD, ndërkohë publikisht qëndron pezull. Në shtator nis vetting i famshëm.
Cili është parashikimi juaj për stinën politike që vjen?
Janë dy sbjekte të ndryshme; ai që ka lidhje me skenën politike dhe ai që ka lidhje me ndryshimet në elitën politike të vendit. Subjekti i parë është lidhur direkt me partitokracinë e vendit dhe pozicionin e saj herë në pushtet herë në opozitë.Partitë tona janë në krizë përfaqësimi, përkatësie, programore dhe sidomos kanë zhdukur krejt laboratorët e ideve dhe mendimin kreativ brenda lidershipit të tyre. Ndërsa subjekti i dytë, ai që ka të bëjë me elitën politike, është i kushtëzuar nga stadi, zhvillimet politike dhe dialektika e një shoqërie si kjo e jona.
Mandati politik 2017-2021 është mandat që de fakto provon ndryshimin e elitës politike të vendit. Pengimtarët e mëdhenj për këtë gjë e kanë humbur betejën.
Pritmënia që po injektohet në publik prej procesit të vettingut nuk duhet të ekzagjerohet. Ne përfshihemi tek vendet e vogla të Europës të cilat mekanizmin e ndëshkimit të qeverisësve postkomunistë e kanë ende ineficent. Unë shpresoj se ky mekanizëm do të duhet minimalisht 5 vjet për të dhënë efekte e për të pasur prova procesesh, të cilët do t’i ndryshojnë statusin kastës politike nga e tillë në të pandehur. /tesheshi.com/