Emiratet e Bashkuara Arabe thanë se katër anije komerciale iu nënshtruan “operacioneve të sabotimit” pas raporteve të rreme në mediat libaneze dhe iraniane, ku thuhej se kishte pasur shpërthime në një nga portet detare të vendit.
Zyrtarët e Emirateve nuk dhanë detaje për natyrën e sabotazhit, e as nuk njoftuan se kush mund të ketë qenë përgjegjës.
“Katër anije komerciale tregtare civile të kombësive të ndryshme këtë mëngjes e pësuan nga aktet e sabotimit” jashtë bregut lindor të Emirateve të Bashkuara Arabe – tha ministria e jashtme në një deklaratë për agjencinë shtetërore WAM.
Përpjekja e sabotazhit ndodhi në Gjirin e Omanit, thuhet në deklaratë, por ministria nuk dha detaje.
Asnjë lëndim apo fatalitet nuk është raportuar, por zona njihet për tensione të larta.
Ajo është korridor vendimtar i naftës dhe gazit natyror. Në ditët e fundit, SHBA-ja ka dërguar anije luftarake shtesë atje.
Ministria e jashtme e Emirateve të Bashkuara Arabe e cilësoi sabotimin e tentuar si një “zhvillim të rrezikshëm” dhe i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të “parandalojë veprime të tilla” në të ardhmen.
Sabotimi vjen në mes të tensioneve në rritje midis Iranit fqinj dhe SHBA-ve, të cilat këtë javë vendosën luftanije për të kundërshtuar atë që Shtëpia e Bardhë e quajti “indikacion i qartë” i kërcënimeve nga Irani ndaj forcave amerikane në rajon. /tesheshi.com/