Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka tentuar të takojë grupet parlamentare të mazhorancës dhe opozitës që të sigurojë një seancë të qetë të kuvendit të enjten.
Jahjaga ka takuar krerët e mazhorancës ndërsa nesër pritet të bsedojë me drejtues të grupeve parlamentare të opozitës.
Presidentja e Republikës së Kosovës, ka zhvilluar pasdite takim me Hashim Thaçin dhe Isa Mustafën në cilësinë e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, respektivisht të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe shefat e grupeve parlamentare të këtyre dy subjekteve, Adem Grabovcin dhe Ismet Beqirin.
Takimi është zhvilluar në kuadër të iniciativës së Presidentes Jahjaga që të ftojë në takime të ndara udhëheqësit e subjekteve politike në Kosovë për të tejkaluar gjendjen e krijuar në vend.
Në takim ishte edhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.
“Pas konsultimeve me krerët e institucioneve, me Kryeministrin dhe Kryetarin e Kuvendit për t’i njoftuar me vendimin tim, ftoj për dialog politik partitë politike parlamentare në përpjekje për të tejkaluar gjendjen e krijuar në vend”, deklaroi sot Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në një konferencë shtypi.
Në pritje të takimeve të Presidentes me drejtuesit politikë, mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, e paraparë për sot, është shtyrë për ditën e martë.
Kuvendi i Kosovës pa asnjë seancë të përfunduar në sesionin vjeshtor vazhdon të jetë i bllokuar nga opozita.
“Aksionet simbolike” të opozitës, me “rrethime” të foltores e kryesuesëve, fërshëllima, gjuajtje vezësh e gazi lotësjellës në sallën e seancave të Kuvendit, janë pjesë e kundërshtimeve, edhe me protesta në rrugë dhe me një peticion me rreth 200 mijë nënshkrime deri tani, të 4 marrëveshjeve të 25 gushtit me Serbinë dhe marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.
Presidentja Jahjaga, priti sot në takim edhe përfaqësues të shoqërisë civile, të cilat ditë më parë bënë deklaratë të përbashkët në mbështetje të dialogut politik për të adresuar zhvillimet e fundit në vend.
Ata përgëzuan Presidenten Jahjaga për angazhimin e saj kushtetues për të lehtësuar dialogun politik me partitë politike parlamentare të Kosovës në përpjekje për të tejkaluar gjendjen e krijuar në vend duke theksuar se thirrja e Presidentes për dialog politik është e vetmja mundësi për të tejkaluar zhvillimet e fundit. /tesheshi.com/