Pas vdekjes së mafiozit më famëkeq Matteo Messina Denaro, i cili u dënua me burgim të përjetshëm kur u arrestua në janar të këtij viti, publiku italian tani pyet: kush do të pasojë bosin e fundit të madh të klanit mafioz Cosa Nostra?
Në momentin e arrestimit, Denaro vuante nga kanceri i zorrës së trashë dhe gjendja e tij shëndetësore ishte përkeqësuar ndërsa ndodhej në Aquila, një nga burgjet më të rrepta në Itali, ku zbatohet regjimi i ashpër i burgut 41-bis për ndëshkimin e krimeve më të rënda të mafias dhe terrorizmit. Pasi ra në një koma të pakthyeshme, ai vdiq më 25 shtator.
Krimineli më i kërkuar në botë
Ndër më të afërmit e tij, i njohur gjithmonë si “u Siço” ose i dobëti dhe i njohur gjerësisht me pseudonimin Diabolik, protagonisti i komikes italiane, fans i së cilës ai vetë ishte, Messina Denaro ishte hallka më e fortë pa të cilën ndikimi i grupit mafioz italian Cosa Nostra me siguri do të merrej në pyetje. Pas arrestimit të një prej më të mëdhenjve, shefit të bosëve, “capo dei capi”, Salvatore Toto Riina, Denaro u bë trashëgimtari më i rëndësishëm mafioz, për të cilin në 1993 u lëshua një urdhër arresti.
Gjatë gjithë kohës ai jetoi në Sicilinë e tij, në provincën e Trapanit, jo shumë larg nga vendlindja e tij Castelvetrano, nga ku vazhdoi të menaxhonte bizneset dhe asetet e grumbulluara falë trafikut të drogës, zhvatjes, pastrimit të parave, investimeve në energjinë e erës, prona të paluajtshme, turizmit, si dhe shumë sektorë të tjerë, duke marrë një pasuri me vlerë katër miliardë euro.
Ndaj tij u lëshua një urdhër ndërkombëtar dhe ai u arrestua vetëm pas tre dekadash, pa shumë rezistencë, në një spital të Palermos ku po trajtohej.
Ai u akuzua gjithashtu për vrasjen e dy prej prokurorëve më të famshëm – Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino. Ai dihet se është mburrur se sa njerëz ka vrarë dhe se si mund të “mbushte një varrezë” me viktimat e tij. Për mizoritë e tij, shkrimtari italian Roberto Saviano, i cili prej gati një dekade jeton nën mbrojtje, thotë se kanë shkatërruar të gjithë etikën që ekzistonte dikur në klanin Cosa Nostra.
Cosa Nostra nuk është zhdukur
Forca e mafies italiane qëndron në aftësinë e saj për të krijuar dhe mbajtur kontakte jo vetëm me njerëzit e thjeshtë që e mbrojnë atë, por mbi të gjitha me njerëz nga institucionet, me sipërmarrësit, me politikanët.
“Aftësia e saj për të krijuar një sistem dhe rrjet marrëdhëniesh është e madhe. Pra, nuk duhet të çuditemi që dy klanet më të forta mafioze, Cosa Nostra dhe ‘Ndrangheta, u zhvendosën nga jugu i vendit në veri dhe arritën të zënë rrënjë atje”, thotë Antonio Nicaso, një shkrimtar italian dhe ekspert i mafies.
Ndryshe nga kriminelët që merren kryesisht me drogë dhe që menaxhojnë organizatën kriminale ‘Ndrangheta, me origjinë nga Kalabria, bosët e mafias si Riina, Provenzano dhe Denaro, u qëndruan besnikë rregullave, njerëzve dhe territorit të tyre. Gjatë viteve që kaluan në arrati, ata qëndruan në vendin e tyre, ndërsa trafikantët e drogës bëjnë pikërisht të kundërtën, duke ndryshuar vendin dhe identitetin e tyre, me synimin për të dominuar një territor të ri për të marrë tregun e narkotikëve.
Një nga kapacitetet e mëdha të klaneve mafioze është transformimi i tyre dhe Antonio Nicaso pretendon se Cosa Nostra do të vazhdojë të ekzistojë për aq kohë sa një pjesë e shoqërisë i jep legjitimitet për mbijetesë.
“Ky klan mafioz nuk ka më forcën që kishte 30 vjet më parë. Nuk do të ketë më vetëm një shef, siç ishte Toto Riina. Megjithatë, do të ketë më shumë shefa dhe kjo sepse Cosa Nostra e dëshiron kështu”, beson Nicaso.
Kush do të jetë bosi i ri i mafias?
Messina Denaro nuk ishte kurrë një sundimtar si paraardhësit e tij.
“Ai ishte një njeri në rrugën e tranzicionit midis Cosa Nostra-s së vjetër dhe asaj të re”, thotë Pietro Grasso, një ish-prokuror publik antimafia, duke shtuar se ky grup kriminal ka ndryshuar me kalimin e viteve, duke krijuar sisteme të reja në hierarkinë mafioze.
Territori ku sundonte Denaro ishte i përqendruar në dhe rreth qytetit të Trapanit. Qyteti ku në të kaluarën anëtarët më të rinj të klanit nga SHBA vinin për të mësuar rregullat e sjelljes dhe për t’u bërë “njerëzit e nderuar” të së nesërmes. Një nga rregullat nga e kaluara është që pas vdekjes së tij, dikush nga ai territor duhet ta pasojë atë.
Në pyetjen nëse tashmë ka një trashëgimtar mafioz, tashmë në publikun italian janë shfaqur disa emra që mund të zëvendësojnë Messina Denaro-n. Fjala është për Giovanni Motisa-n, një nga vrasësit më të besueshëm të kësaj organizate mafioze. Ky 64-vjeçar është dënuar me burgim të përjetshëm për veprat e tij kriminale, por që prej vitit 1998 është në arrati. Më pas, flitet edhe për sundimin e Settim Mine, bosi më i vjetër mafioz, 85-vjeçari me profesion argjendari, i arrestuar disa herë dhe aktualisht në burg.
Përmendet gjithashtu Stefano Fidanzati, bosi 70-vjeçar i drogës, i cili ish-prokurori anti-mafia Pietro Grasso beson se ka një shans të mirë për pasardhje. Megjithatë, ka mundësi që mafiozi më famëkeq të zëvendësohet nga dikush më i ri për herë të parë. Bëhet fjalë për 49-vjeçarin Giuseppe Auteri, i njohur më shumë me nofkën “Vassoio” (tabaka), i cili prej vitesh ndodhet në arrati. /tesheshi.com/