Tetë muaj pas shpërthimit të luftës në Rripin e Gazës, Izraeli tha të premten se Kombet e Bashkuara e kishin informuar atë se do ta fuste ushtrinë izraelite në “Listën e Turpit” për mosrespektimin e të drejtave të fëmijëve në konflikt.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres do të publikojë raportin e tij të ri më 18 qershor, por ambasadori i Izraelit në OKB, Gilad Erdan, i befasoi të gjithë të premten duke njoftuar se kishte marrë një telefonatë nga shefi i shtabit të Guterres duke e informuar atë për vendimin e Sekretarit të Përgjithshëm për të vendosur ushtrinë izraelite në “Listën e Turpit”.
“Lista e Turpit” u prezantua në vitin 2002 nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së si një mjet i rëndësishëm në përpjekjet për të luftuar shkeljet e të drejtave të fëmijëve në konfliktet e armatosura. Stigmatizimi i autorëve – qofshin qeveritë apo grupet e armatosura joshtetërore – ushtron presion të madh mbi palët në një konflikt të armatosur për t’i detyruar ato të respektojnë ligjin ndërkombëtar.
Shkelja e të drejtave të fëmijëve
Me kërkesë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së publikon një raport vjetor që dokumenton shkeljet e të drejtave të fëmijëve, duke përfshirë shënjestrimin e shkollave dhe spitaleve, në gati 20 zona lufte në mbarë botën. Ky raport përfshin një aneks që liston palët përgjegjëse për këto shkelje të të drejtave.
Aneksi është bërë i njohur si “Lista e Turpit” sepse përmban emrat e palëve të akuzuara për ushtrim të dhunës ndaj fëmijëve në konflikt, duke përfshirë vrasjen, gjymtimin, rekrutimin, rrëmbimin ose kryerjen e akteve të dhunës seksuale ndaj tyre.
Lista nuk ka efekte ndëshkuese përveç presionit ndërkombëtar dhe palët e listuara mund të hiqen nga aty, por vetëm pasi të arrihet një marrëveshje me komitetet e OKB-së që ndjekin procedurat për të ndaluar shkeljet e të drejtave.
Izraeli është një vend i ri i shtuar në këtë “listë të zezë” dhe kjo masë mund të ketë një ndikim më të madh në skenën ndërkombëtare. Për herë të tretë brenda pak muajsh, Izraeli është vënë nën vëzhgimin e organeve të mëdha ndërkombëtare, kryesisht Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, pasi Afrika e Jugut ngriti një padi kundër këtij shteti gjakatar më 11 janar, duke e akuzuar atë për kryerjen e gjenocidit në Gaza. Më pas, pasi Kryeprokurori lëshoi urdhër-arrest për kryeministrin izraelit dhe ministrin e tij të mbrojtjes në fund të majit. Së fundi është OKB-ja që e fut në “listën e zezë” të saj.
Kujtojmë se që në fillim të agresionit kafshëror në Gaza, udhëheqja izraelite përdori dhe referenca fetare si paralajmërim se nuk do kishte mëshirë as për civilë, përfshirë gra, fëmijë e pleq, gjë që të cilën e ka zbatuar me një besnikëri mizore në më shumë se gjashtë muaj. /tesheshi.com/