Rreth dy muaj pasi ekipi brazilian i Çapekoenses u shua thuajse tërësisht në një aksident ajror në Kolumbi, një formacion i ri i tij ka dalë në fushë për të luajtur një ndeshje miqësore.
Më 29 nëntor të vitit të shkuar, avioni që po e çonte ekipin në Kolumbi për të luajtur finalen e një veprimtarie kontinentale, u rrëzua, duke u marrë jetën 71 personave, mes të cilëve 19 ishin lojtarë të Çapekoenses. Më 21 janar, skuadra e ndërtuar nga e para, me 22 lojtarë të rinj, priti në fushën e saj Palmeirasin, në një ndeshje miqësore.
Më tepër se një ndeshje, kjo e së shtunës ishte një përkujtim për lojtarët që humbën jetën. Tre lojtarët e mbijetuar nga aksidenti do të merrnin para ndeshjes trofeun e aktivitetit për të cilin qenë nisur për në Kolumbi, ndërsa një tjetër i mbijetuar, një gazetar, do të komentonte ndeshjen.
Loja do të ndalonte në minutën e 71-të në nderim të 71 viktimave, për të vijuar përsëri më pas.
Takimi do të përfundonte 2-2, ndërsa gjysma e të ardhurave do të shkojë për familjet e viktimave, e gjysma për rindërtimin e klubit. /tesheshi.com/