Ministri i Transportit dhe Energjisë, Damian Gjiknuri hodhi poshtë punën e bërë nga qeveritë e djathta përpara 2013-ës, duke kritikuar atë që e quajti skemën e “rrugomanisë”. Sipas tij, janë hapur shumë kantiere rrugësh që kanë mbetur të papërfunduara ose të pafinancuara dhe përfundimi i këtyre kantiereve do të jetë prioritet për buxhetin e infrastrukturës, vitin e ardhshëm.
Sipas Gjiknurit, ka rritje të buxhetit për infrastrukturën. Duke prezantuar buxhetin për vitin 2018 në Komisionin e Ekonomisë, ai tha se vitin e ardhshëm do të përfundojë rruga e re Elbasan – Tiranë, e cila do ta lidhë me autostradën Tiranë-Durrës.
Gjithashtu Gjiknuri tha se do të përfundojnë të gjitha projektet e nisura, duke përfshirë edhe rrugën e Kombit, që, sipas tij, ende nuk është përfunduar.
“Janë bërë gjëra të çuditshme. Qasja e deritanishme ka qenë jo strategjike. Janë hapur shumë kantiere të pambështetura me buxhet sidomos kantiere të cilat nuk ndikonin në përmirësimin e infrastrukturës kombëtare”, tha ai. /tesheshi.com/