Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka mbajtur një qëndrim kritik, sa i takon draft-buxhetit për mbrojtjen, të propozuar në kuvend për vitin e ardhshëm. Përmes një letre drejtuar kryeparlamentarit, Ilir Meta dhe deputetëve, ai ngre shqetësimin se me këtë projekt-buxhet ka konstatuar disa shkelje dhe nuk reflekton shqetësimet nga aleatët. E ndarë në tre pika kryesore, në letër Nishani argumenton se fondi i 2017-ës për Forcat e Armatosura është 0.75 %, më i ulët që prej vitit 1999. Po ashtu, ai është ndalur edhe në çeshtjen se përmes këtij drafti është parashikuar ulja e personelit, gjë që është kundërshtuar nga kreu i shtetit. Për këto arsye, Nishani ka kërkuar nga deputetët që të reflektojnë përmes mesazheve të kësaj letre, sipas tij për të përmbushur arritjen e objektivave në fushën e mbrojtjes.
Letra e plotë:
I nderuar Zoti Kryetar i Kuvendit,
Të nderuar Deputetë,
Kam ndjekur në vijimësi diskutimet rreth projekt-buxhetit të vitit 2017. Diskutimin e projekt-buxhetit e vlerësoj si një ngjarje madhore për vendin, pasi përtej shifrave, artikulon performancën e vitit që lëmë pas si dhe demonstron objektivat madhore që synohen të arrihen për vitin në vazhdim. Diskutimet për buxhetin në sektorin e mbrojtjes i konsideroj si ngjarje më vete në axhendën e Kuvendit, kjo pasi demonstrohet përgjegjshmëri institucionale ndaj çështjeve që e tejkalojnë politikën dhe mandatin e një qeverie të radhës. Prandaj, edhe në këtë këndvështrim, si dhe në ushtrim të përgjegjësive kushtetuese si Kryetar i Shtetit dhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, kam vlerësuar me vëmendje të veçantë projekt-buxhetin e mbrojtjes për vitin 2017.
Në mungesë të konsultimit paraprak nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes, Institucioni i Presidentit të Republikës ka përdorur dhe vlerësuar informacionin e administruar në faqen zyrtare të Kuvendit dhe Ministrisë së Financave, dhe çmoj të domosdoshme të ndaj me Ju, të nderuar deputetë të Kuvendit, disa rezerva kritike në lidhje me këtë draft:
Draft-buxhetin e mbrojtjes për vitin 2017, e gjej në shkelje të ligjeve mbi Planin Afatgjatë të Zhvillimit (PAZH 2016-2025) të Forcave të Armatosura, objektivave strategjike kombëtare të përcaktuara në Strategjinë e Sigurisë Kombëtare (SSK), në Strategjinë Ushtarake (SU), dokumente këto të miratuara në Kuvend si dhe me rekomandimet e Dokumentit të Rishikimit të Mbrojtjes, i realizuar me mbështetjen e Qeverisë së SHBA-së. Më konkretisht:
- Në ligjin nr. 121/2015 “Për miratimin e Planit Afatgjatë të Zhvillimit të Forcave të Armatosura 2016-2025”, buxheti i mbrojtjes për vitin 2017 është përcaktuar të jetë në nivelin e 1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Siç vërehet nga informacioni që gjendet në faqet e internetit të Ministrisë së Financave dhe Kuvendit të Shqipërisë, në këtë draft buxhet janë alokuar 25 % mëpak se detyrimi i përcaktuar (1%), dhe rrjedhimisht buxheti i planifikuar për 2017 do të zbresë në 0.75 % të PBB-së! Krahas të qënit një ulje drastike me ndikim në arritjen e objektivave madhore në fushën e mbrojtjes, kjo është më e ulëta që prej vitit kur Shqipëria mori statusin e vendit Aspirant (1999).
Në vijim, në lidhje me këtë çështje, vë në vëmendjen Tuaj se në dokumentin e Rishikimit Strategjik të Mbrojtjes, buxheti i mbrojtjes pas vitit 2015 është parashikuar jo më i vogël se 1.5% e PBB-së, kur në fakt, rezulton se projekt – buxheti i planifikuar për vitin 2017 është parashikuar sa gjysma e këtij objektivi.
- Nënvizoj me shqetësim konstatimin se draft-buxheti i mbrojtjes për vitin 2017 është shumë më i ulët (afërsisht 2.8 herë) se niveli 2% i PBB-së, synimi kombëtar i konfirmuar në NATO dhe angazhimi i nënshkruar nga 28 Kryetarët e Shteteve të NATO-s në Samitin e Varshavës, Poloni.
Në këtë pikë, vlerësoj se edhe këtë vit buxheti i planifikuar nuk reflekton shqetësimet serioze të ngritura në mënyrë konstante nga aleatët tanë strategjikë dhe vendet partnere të Aleancës më të fuqishme politiko-ushtarake ku kemi nderin të bëjmë pjesë.
- Në detyrimet e përcaktuara dhe të miratuara që gjenden në dokumenta strategjikë, siç janë Rishikimi Strategjik i Mbrojtjes (RSM), Strategjia e Sigurisë Kombëtare (SSK), Strategjia Ushtarake dhe Plani Afatgjatë i Zhvillimit të Forcave të Armatosura 2016-20125, përcaktohet se numri i personelit do të duhej të ulej. Sipas informacionit që gjendet në projekt-buxhetin e vitit 2017 rezulton se Ministria e Mbrojtjes parashikon të rrisë në mënyrë të konsiderueshme numrin e personelit, përtej detyrimeve të përcaktuara. Vlerësoj se një argumentim nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes është i nevojshëm për këtë çështje dhe besoj se ky element do të marrë vëmendjen e duhur nga ana e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë.
Të nderuar deputetë,
Shpresoj se jemi në një mendje, se buxheti i Mbrojtjes, përbën një mekanizëm kritik për të përmbushur objektivat e strategjisë kombëtare të miratuara nga Kuvendi me ligje të posaçme, si ato të përmendura më sipër.
Prandaj, nëpërmjet kësaj letre-mesazh çmova të domosdoshme të ndaj me Ju vlerësimet dhe shqetësimet e sipërpërmendura, duke shpresuar njëkohësisht se ato do te lexohen, adresohen në mënyrë konsensuale dhe do të reflektohen, duke e rritur jo më pak se 1 % të PBB-së buxhetin e mbrojtjes për vitin 2017, për të përmbushur arritjen e objektivave madhore në fushën e mbrojtjes, për t’iu përafruar sa më shumë të mundemi detyrimeve të përcaktuara në dokumentat strategjikë të miratuara nga Kuvendi, si edhe për të vijuar të ndërtojmë marrdhënie serioze partneriteti me NATO.
/tesheshi.com/