Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati thotë se misioni i OSBE-së në Shqipëri nuk do të largohet. “Sipas zhvillimeve ndodh edhe ndryshimi i mandatit të organizatave dhe nuk vendos ministri se çfarë mandati do të ketë OSBE-ja”, tha Bushati, i pyetur nga gazetarët për dokumentin e “rrjedhur” nga ministria që ai drejton e ku kërkohet reduktim i rolit të OSBE-së.
Dokumenti i publikuar në media hidhte dritë mbi një kërkesë të ministrisë së Jashtme ndaj institucioneve të rëndësishme në vend për të raportuar për projektet që janë në proçes me OSBE-në.
Reduktimi i misionit të OSBE-së, në fakt, është kërkuar edhe më parë nga qeveri të ndryshme, për shkak se organizmi është i pranishëm në vende që kanë probleme sigurie, dhe mbyllja e saj konsiderohet një sukses i qeverisë.
Tashmë, Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe ky është argumenti që ka përdorur ministria e Jashtme në dokumentin në fjalë, pasi “Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë është e tepërt në një vend anëtar të NATO-s dhe kandidate për në BE”. /tesheshi.com/