Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, i është përgjigjur Athinës zyrtare në lidhje me paralajmërimet e bëra, pas miratimit të ligjit për pakicat kombëtare. Bushati tha se mbetemi të hapur të studiojmë çdo lloj modeli për pakicat, përfshi edhe atë grek, nëse ekziston.
“Të gjithë kolegëve, qofshin këta fqinj apo jo, përfshirë edhe Greqinë, gjatë këtyre dy viteve e gjysmë punë që është bërë për hartimin e këtij ligji, i kam kërkuar që të na parashtrojnë gjithashtu eksperiencën e vendeve të tyre. Ne kemi qenë dhe mbetemi të hapur për të studiuar çdo lloj modeli për pakicat, duke përfshirë edhe modelin grek, nëse një i tillë ekziston”, ka deklaruar Bushati.
Kreu i diplomacisë shqiptare i është përgjigjur dhe presidentit grek, i cili e cilësoi “amatorizëm ndërkombëtar” lëvizjen e Shqipërisë. “Amatorizimi kam frikë se duhet kërkuar nëpër kryeqytetet e vendeve të tjera, por kurrësesi në Shqipëri”, tha Bushati.
Ndërkohë në lidhje me mundësinë e një vetoje greke për të bllokuar proçesin e integrimit të Shqipërisë në BE, Bushati shprehet se nuk ka asnjë arsye që një shtet, qoftë ky edhe fqinji ynë Greqia, të ishte i interesuar për të vendosur veton ndaj Shqipërisë.
“E kam thënë dhe do ta them, nuk është as në interesin e Greqisë dhe as të Shqipërisë që të kemi të tilla ngjarje, por politika e megafonit ditën e diel duhet t’ia lërë vendin ditës së punës në marrëdhëniet mes dy vendeve tona”, u shpreh Bushati. /tesheshi.com/