Nga Shkëlzen Rrecaj
Pas publikimit të lajmit se bujqësia kosovare do bjerë në dorë të serbëve – pra Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) do ta udhëheq Lista Serbe – tek i ashtëquajturi “qytet i bujqësisë” në Kosovë, Rahovec, ka rënë zia.
Bujqësia është sektori fondamental për zhvillimin ekonomik, dhe për fermerët e atyshëm, t’ja lësh në dorë Beogradit këtë sektor, është siç me shumë se “t’i varësh ujkut mëlcitë në qafë”.
Ndër të parët që ka reaguar, ka qenë kandidati për kryetar komune në Rahovec nga radhët e Vetëvendosjes, Visar Korenica. “Gëzimit tonë për pranimin e rrushit nga bodrumet, si duket shpejt i erdhi fund”, ka thënë ai.
“Me shqetësim të madh kam marrë informacionet e fundit se në qeverinë e ardhshme të Kosovës, Lista Serbe me direktiva nga Beogradi, do të udhëheqë me ministrinë më të rëndësishme, ministrinë më jetike për zhvillimin ekonomik, Ministrinë e Bujqësisë”, ka theksuar Korenica.
Ai ka bërë edhe disa pyetje se “Çka do të ndodhë me subvencionet? Çka do të ndodhë me mjetet bujqësore? Çka do të ndodh me grantet?”.
“Tash fjalën e fundit do ta kenë serbët që kanë direktiva nga Beogradi zyrtar dhe kjo prek direkt kryeqytetin e bujqësisë, Rahovecin, pasi punëtorët më të mëdhenj në Kosovë bukën e gojës e sigurojnë nga bujqësia”, ka vazhduar më tej ai.
Korenica kërkoi nga përfaqësuesit e PAN-it dhe AKR-së në komunën e Rahovecit që të mbajnë përgjegjësi para banorëve të zonës, për atë çka po bëjnë liderët e tyre në Prishtinë.
“Deri sa të ndodhë kjo, nuk do të heshtim së kërkuari reforma për bujqësinë, hapjen e tregjeve dhe krijimin e vendeve të reja të punës nga ky sektor jetik për vendin, sepse ne jemi ‘zot’ shtëpie në konakun tonë dhe jo serbët me direktiva nga Beogradi”, është shprehur Korenica.
Kundër kësaj marrëveshje ka reaguar edhe fermeri nga Shtimja, Bujar Beqa, i cili është kultivues i fidanëve të domates dhe disa kulturave tjera. Për tesheshi.com, ai është shprehur tepër i shqetësuar për faktin se sektorin më të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik në vend do ta udhëheq Lista Serbe.
“Unë si fermer dhe përfitues i granteve nga ministria nuk e mirëpres që dikush nga komuniteti pakicë e sidomos nga ai serb ta udhëheq sektorin më të rëndësishëm në Kosovë, Bujqësinë. Bujqësia duhet të jetë prioritet për politikanët tanë pasi qëështë sektori me i rëndësishëm në zhvillimin e vendit dhe punësimin e të rinjve”, ka deklaruar fermeri Beqa.
Edhe shumë fermerë tjerë kanë reaguar kundër kësaj marrëveshje e disa kanë hezituar të flasin pasi shumë nga ata janë në lista për përfitime të subvencioneve. /tesheshi.com/