Emiri i Katarit, Tamim bin Hamad al-Thani, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Britani në fillim të dhjetorit, gjatë së cilës do të pritet nga Mbreti Charles III, ka bërë të ditur Pallati Buckingham.
Monarku i Britanisë dhe mbretëresha Camilla do të mirëpresin emirin e Katarit dhe gruan e tij gjatë vizitës dyditore të çiftit në Mbretërinë e Bashkuar më 3 dhe 4 dhjetor, tha pallati në një deklaratë.
Takimi i mëparshëm i dy liderëve ishte në dhjetor 2023, në konferencën ndërkombëtare të OKB-së për klimën (COP 28), ku mori pjesë Mbreti Charles, një mbështetës i vendosur i mbrojtjes së mjedisit.
Emiri i Katarit dhe gruaja e tij morën pjesë në kurorëzimin e mbretit Charles në maj 2023 në Londër.
Britania aspiron të arrijë një marrëveshje tregtare me Këshillin e Bashkëpunimit të Gjirit, ku Katari është një anëtar i shquar. Sipas qeverisë britanike, marrëveshja do të gjeneronte 1.6 miliardë paund (1.9 miliardë euro) të ardhura për Londrën.
Investimet e Katarit në ekonominë e Mbretërisë së Bashkuar vlerësohen në mbi 40 miliardë paund (rreth 48 miliardë euro). Në vitin 2022, Emirati kishte shpallur investime deri në 10 miliardë paund (rreth 12 miliardë euro) në Britani deri në vitin 2027. /tesheshi.com/