Pas disa muajsh presion, lobim dhe mbledhje të trupave përgjatë kufirit me Sirinë, Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan më në fund arriti të sigurojë miratimin e Presidentit amerikan Donald Trump për një operacion ushtarak në verilindje të Sirisë.
Operacioni “Burimi i Paqes” është operacioni i tretë i madh ushtarak turk brenda vendit që nga viti 2016. Shtrirja dhe thellësia e operacionit nuk dihen ende, por ka gjasa të ndryshojnë dinamikën e konfliktit sirian, madje rrënjësisht.
Të kapësh momentin
Që nga viti 2012, Erdogan është përpjekur të krijojë një “zonë të sigurt” përgjatë pikë kalimit mes Turqisë me Sirinë që bie në lindje të lumit Eufrat.
Opozita Siriane arriti të shtyjë forcat e regjimit sirian jashtë verilindjes së vendit në verën e 2012, duke lejuar Njësitë e Mbrojtjes Popullore, të njohura me akronimin e tij kurd, YPG, të marrin kontrollin. Turqia thotë se YPG është dega siriane e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), të cilën e klasifikon si një organizatë terroriste jo vetëm ajo, por edhe BE-ja e SHBA-të.
Para vitit 2016, planet e Erdoganit për të ndërhyrë ushtarakisht në Siri u kundërshtuan si nga administrata e Obamës, ashtu edhe nga ushtria turke, ndaj së cilës presidenti nuk kishte ende kontroll të plotë. Erdogan, si rezultat, nuk pranoi të marrë pjesë në luftën e udhëhequr nga SHBA-ve kundër ISIS-it, luftë kjo e nisur nga Obama pas rënies së Mosulit, në verën e vitit 2014.
Për pasojë, Shtetet e Bashkuara nuk lejoheshin të përdorin bazën ajrore të Incirlik në jug të Turqisë në luftën kundër ISIS-it. Përkundrazi, duhej të mbështetej në baza më larg, të tilla si al-Udiad në Katar dhe Riffa në Bahrein.
Ndërkohë, SHBA refuzoi një ofertë nga Turqia për të armatosur dhe trajnuar fraksionet e opozitës siriane për t’u përballur me ISIS, në vend se të shfrytëzoheshin fraksioni i PKK-së për një mision të tillë.
Për të fshehur identitetin kurd të përfaqësuesit të zgjedhur të SH.B.A. në Siri, Forcat Demokratike Siriane (SDF), u furnizuan edhe me luftëtarë nga grupe jo-kurde. Si përfundim, SDF u trajnua dhe u armatos nga ushtria amerikane.
Kur Turqia përfundimisht vendosi të ndryshojë kursin dhe të lejojë SHBA të përdorë territoret e saj në luftën kundër ISIS në verën e 2015, ishte shumë vonë. Deri atëherë, Rusia kishte hyrë në anën e regjimit sirian, duke ndryshuar plotësisht dinamikën e konfliktit të Sirisë.
Kjo do të thoshte që Turqia tani po merrte pjesë në një konflikt krejtësisht ndryshë nga ai për të cilin mori ofertë disa vjet më parë. Ndryshimi i rrethanave u demonstrua qartë në nëntor 2015, kur Turqia goditi një aeroplan luftarak rus afër kufirit të saj me Sirinë, duke nxitur një krizë të madhe me Rusinë.
Sigurimi i kufijve në perëndim të Eufratit
Pasi nuk u mbështet aspak nga aleatët e NATO-s në përballje me Rusinë, Turqia u gjend e mbërthyer mes një rivali të fortë – Rusisë – që ndodhej në territoret Siriane në perëndim të Eufratit dhe një aleati jo të përshtatshëm për nevojat e saj, SHBA –të, në territoret në lindje të Eufrati.
Puçi i dështuar ushtarak i korrikut 2016 i dha Erdoganit një mundësi për të ndrequr “gardhin” me Rusinë dhe të dilte nga ky kurth strategjik. Vetëm një muaj pas grushtit të shtetit, gjatë të cilit Rusia shprehu mbështetje për Erdoganin, Turqia u lejua të zhvendosej në veriperëndim të Sirisë dhe të pastronte zonën nga ISIS-i dhe YPG-ja. Operacioni, i quajtur “Mburoja e Eufratit”, hapi rrugën për krijimin e procesit Astana-s, ku Rusia dhe Turqia u përpoqën të arrinin një konsensus për zgjidhje paqësore në Siri. Edhe Irani, faktori i radhës në këtë konflikt, u bashkua në këtë marrëveshje.
Në shkurt të vitit 2018, Rusia i lejoi Turqisë të niste edhe një operacion tjetër, këtë herë të quajtur “Dega e Ullirit”, për të dëbuar YPG-në nga Afrin. Pasi arriti të sigurojë pjesën e kufirit të saj me Sirinë në perëndim të lumit Eufrat, Turqia ia ktheu vëmendjen drejt lindjes pas këtij operacioni. Me humbjen e ISIL në atë rajon që erdhi, Turqia filloi të përgatitet për të mbushur vakumin që largimi i planifikuar i forcave amerikane do të krijonte në mënyrë të pashmangshme atje. Sidoqoftë, për hidhërimin e Turqisë, SHBA vendosën të qëndrojnë.
Të fokusohemi te Trump
Në Janar të 2018-tës, Departamenti i Shtetit, nën ish Sekretarin e Shtetit Rex Tillerson, përvijoi një plan për një prani afatgjatë ushtarake amerikane në Siri. Ai përcaktoi katër objektiva kryesore për praninë ushtarake amerikane në Sirinë verilindore. Ato përfshinin sigurimin e shpartallimit të ISIS-it dhe al-Kaedës, krijimin e kushteve të duhura për kthimin e refugjatëve sirianë, frenimin e ndikimit iranian në rajon dhe mbajtjen e zgjedhjeve të mbikëqyrura nga OKB që synojnë një udhëheqje të re në Damask. Motivi i fshehtë pas kësaj strategjie, siç e tha Tillerson, ishte që SHBA të mos e përsërisë gabimin e vitit 2011, kur një largim i parakohshëm nga Iraku lejoi që al-Kaeda të mbijetojë dhe përfundimisht të bëhet ISIS”.
Trump ishte i pakënaqur. Në mars të vitit 2018, ai e pushoi nga puna Tillerson dhe befasoi të gjithë kur njoftoi tërheqjen e plotë të trupave amerikane nga Siria. Nën presionin e anëtarëve të administratës së tij, si dhe nga aleatët rajonalë dhe evropianë, Trump i dha Pentagonit dhe Departamentit të Shtetit gjashtë muaj afat për të përfunduar punën kundër ISIS dhe për të tërhequr trupat nga Siria.
Turqia shfrytëzoi këtë ngërç brenda administratës amerikane dhe hapi një kanal të drejtpërdrejtë me Trump. Prandaj, deri në fund të periudhës gjashtë mujore, Erdogan e kishte thirrur Trump dhe kishte marrë garanci se SHBA së shpejti do të largohej. Trump u citua se i tha Erdoganit gjatë telefonatës së tyre të dhjetorit 2018 se në Siri kemi mbaruar punë.
Plani i tërheqjes, megjithatë, u shtye, dhe SHBA e Turqia hynë në një bisedim të gjatë për çështjen që nuk dha rezultat konkret për gati një vit.
Të Dielën, me 6 Tetor, një tjetër telefonatë midis Erdogan dhe Trump ndryshoi përsëri dinamikën. Trump vendosi që të lejojë që Turqia të shkonte përpara me operacionin e saj ushtarak dhe të krijonte një “zonë të sigurt”. Tre ditë më vonë, ushtria turke hyri në Siri.
Dinamikat e reja
Megjithëse është akoma e paqartë nëse SHBA po planifikon të tërhiqet plotësisht nga Siria, apo thjesht t’i hapë rrugë Turqisë për të krijuar një “zonë të sigurt” pranë kufirit të saj, operacioni turk tashmë ka shndërruar dinamikën e konfliktit sirian, duke rezultuar në shtrirje të reja brenda Sirisë dhe jashtë saj.
Shtetet e Gjirit Arab – Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Kuvajti si dhe Egjipti dhe Izraeli, tashmë kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj masës së Turqisë. Duke folur në një takim urgjent të Lidhjes Arabe në Kajro më 12 tetor, Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes Arabe Ahmed Aboul Gheit e quajti operacionin ushtarak të Turqisë në verilindje të Sirisë një “pushtim të tokës së një shteti arab dhe një agresion mbi sovranitetin e tij”.
Ministri i Shtetit i Arabisë Saudite për Punët e Jashtme Adel al-Jubeir dënoi gjithashtu operacionin turk dhe kërkoi një përfundim të menjëhershëm të tij.
Gjatë vitit të kaluar, Riadi ka ushtruar përpjekje të jashtëzakonshme për të bindur Trump që të ruajë një prani të konsiderueshme ushtarake në Sirinë verilindore për të balancuar si Turqinë ashtu edhe Iranin. Në nëntorin e kaluar, sauditët angazhuan 100 milion dollarë për të bindur SHBA për të mbetur në Siri. Në një moment, Riadi madje ofroi të dërgonte trupa për të patrulluar zonën përkrah SHBA-ve dhe YPG-së. Operacioni “Burimi i Paqes” i Turqisë, prandaj, shihet si një goditje e madhe për përpjekjet saudite për të mbajtur Ankaranë jashtë Sirisë.
Izraeli gjithashtu ka dënuar operacionin ushtarak turk dhe ka shprehur simpatinë ndaj YPG. “Izraeli dënon me forcë pushtimin turk në zonat kurde në Siri dhe paralajmëron kundër spastrimit etnik të kurdëve nga Turqia,” shkroi Kryeministri Benjamin Netanyahu. “Izraeli është i përgatitur të ofrojë ndihmë humanitare për popullin e zjarrtë kurd.”
Izraeli ka qenë gjithmonë një kampion i separatizmit kurd. Krijimi i një Kurdistani të madh shihet nga Izraeli dhe disa qarqe në Arabinë Saudite si një mjet për të dobësuar fuqitë kryesore në rajon, të tilla si Turqia, Irani, Iraku dhe Siria.
Çuditërisht, partnerët e Turqisë në Astana, Rusia dhe Irani, kanë treguar më shumë fleksibilitet.
Moska deklaroi se kupton shqetësimet turke të sigurisë në veri të Sirisë dhe bashkoi forcat me SHBA për të bllokuar një deklaratë të hartuar nga BE në Këshillin e Sigurimit të KB duke i bërë thirrje Turqisë të përfundojë operacionin e saj ushtarak.
Edhe Irani shprehu një qëndrim të ngjashëm. Kjo sinjalizon një ndryshim të madh në politikat e të dy vendeve drejt aksionit ushtarak turk. Në fillim të këtij viti, Moska dhe Teherani ishin shprehur kundër planeve të Ankarasë për krijimin e një “zone të sigurt” në veri të Sirisë.
Tani që Irani nuk është në gjendje të tjetërsojë Turqinë pasi edhe vet përballet me sanksione të SHBA-ve, po përpiqet të mos e humb një aleat.
Moska gjithashtu mbështetet në bashkëpunimin e Turqisë për t’i dhënë fund konfliktit në Siri dhe të sigurojë interesat e saj atje. Për më tepër, shqetësimi kryesor i Rusisë për momentin është të dëbojë SHBA-të nga Siria, të ndëshkojë kurdët që ishin aleatë me Uashingtonin dhe t’i shtyjë ato përsëri në prehrin e regjimit sirian.
Kjo është pikërisht ajo që ka ndodhur. Duke qenë të braktisur nga mbrojtësi i tyre amerikan, kurdët tani nuk kanë ku të shkojnë, por kthehen përsëri në aleatin e tyre të vjetër në Damask. Kjo është arsyeja pse ata arritën një marrëveshje me regjimin sirian dhe i kërkuan që të vendosë forcat në kufirin turk. Kjo përbën një ndryshim të madh në aleancat që i japin një ide konfliktit të Sirisë.
Ky aranzhim i ri ka mundësi të forcojë forcat e regjimit sirian kundër Turqisë dhe opozitës Siriane të mbështetur nga Turqia. A do ta mbështesin Irani dhe Rusia regjimin sirian në këtë luftë siç vepruan në Idlib?
Në këtë fazë, Moska ka gjasa të përpiqet të hartojë një marrëveshje midis Turqisë dhe regjimit Sirian, të rigjallërojë Marrëveshjen e Adanas të vitit 1998 mbi sigurinë kufitare midis dy palëve dhe të krijojë një status-quo të pranueshme për të gjithë.
Moska bëri veprime të ngjashme në veriperëndim në Afrin-it dhe në zonat e prekura nga operacioni i mëparshëm turk, “Mburoja e Eufratit”.
Moska, në fund të fundit, dëshiron që të gjitha forcat e huaja të largohen përgjithmonë nga Siria, sepse pasi të dalë Uashingtoni, ajo do të jetë në gjendje të vendosë vetë për fatin e Sirisë dhe të manipulojë veprimet e të gjithë aktorëve të tjerë të përfshirë në konflikt, përfshirë Turqinë, Iranin, Arabinë Saudite dhe Izraelin. /tesheshi.com/