Nga Mensur Krasniqi
Pas encikopledisë maqedonase të publikuar para disa viteve ku shqiptarët prezantoheshin si “njerëz të zbritur nga mali”, tani vjen nënçmimi i rradhës nga historiani maqedonas, Branisllav Svetozareviç, ku në një hulumtim të tijin shqiptarët i quan vrasës ordinerë. Ai ka publikuar librin e tij të fundit me të dhëna tronditëse ku shqiptarët e disa vendbanimeve të Tetovës dhe Gostivarit i quan vrasës të maqedonasve. Sipas historianit Svetozareviç, kjo ka ndodhur pas vitit 1940 e këndej.
Ky autor në libër jep disa shembuj në fshatin Sanakos të Gostivarit ku thuhet: “Shqiptarët pasi vranë maqedonasin Pavle nga fshati Sanakos në vitin 1942 dhe vazhduan kërcënimet tjera se do të vrasin edhe pjesën tjetër të fshatit të banuar me maqedonas. Atëherë maqedonasit ishin të detyruar të ikin nga ky fshat”, shkruan në këtë libër Svetozareviç, ku si dëshmi merr deklaratën e 85-vjeçarit, Vlado Srbinovski i cili është pensionist nga Tetova.
Më tej, në këtë libër shkruan se shtëpitë e zbrazëta të maqedonasve i kanë uzurpuar shqiptarët, kur sipas tij, në vitin 1949 shqiptarët vranë edhe një maqedonas i cili kishte ardhur që t`i mbledhë kumbullat në fshatin Sanakos. Autori shkruan se tragjedi të ngjashme kanë përjetuar edhe maqedonasit e fshatit Gradec të Gostivarit, të cilët kanë ikur për shkak të krimeve që i kanë bërë shqiptarët ndaj tyre.
Ai gjithashtu tregon për deportimin e maqedonasve nga Gostivari, madje edhe nga fshati Trebosh i Tetovës, me shkas frikën nga shqiptarët.
Në bazë të këtij hulumtimi thuhet që një pjesë më e madhe e qytetit të Tetovës ka qenë e banuar me krishterë e jo muslimanë, sikurse sot.
Duke folur për tesheshi.com historiani i njohur shqiptar në Maqedoni, Skënder Asani, ka quajtur pseudohistorian autorin e këtij libri. Sipas tij kjo është një strategji e njohur që nga shekulli XIX dhe XX kur njëjtë si maqedonasit, serbët në faza të krizës politike dhe identitetit kanë përbaltur kombin shqiptar me etiketime banale.
“Ky libër të cilin plason ky autor në teza të çoroditura dhe porositura politikisht, nuk është diçka e re për ne historianët. Kjo ka ndodhur edhe në shekullin e 19 dhe 20, çdoherë kur serbët kanë pasur kriza identiteti duke qenë nën presionin e shteteve përreth e sidomos derisa kanë pasur kriza politike. Në këso rrethanash, ata gjithnjë i janë vërsulur historiografisë shqiptare ose i kanë sulmuar shqiptarët me fjalor banal. Edhe ky libër i këtij autori anonimus dëshiron që ta shëron dhe mënjanon këtë krizë politike që reflekton edhe në krizë identiteti te populli maqedonas duke i fyer shqiptarët. Këtij komenti në këtë libër nuk duhet ti jepet aq publicitet sepse atëherë vetëm i zyrtarizojmë tezat e sëmura të pseudohistorianëve maqedonas”, deklaroi historiani Skender Asani.
Historiani Asani nuk e di nëse botimi i këtij libri është financuar ose jo nga Ministria e Kulturës, dhe nëse vërtetohet një gjë e tillë, atëherë kjo do të kishte përbërë një skandal politik, ku maqedonasit shprehin nwnçmim ndaj shqiptarëve duke u financuar me para publike. /tesheshi.com/