Xhenana Brkiç-Isakoviç 23-vjeçare, edhe pse ka lindur plotësisht e verbër, kurrë nuk ka hequr dorë e as nuk ka braktisur ëndrrat e saj. Pavarësisht kushteve të rënda për personat e verbër në institucionet arsimore në Bosnjë, në maj të këtij viti ajo u diplomua në Universitetin Ndërkombëtar të Sarajevës (IUS), si një ndër tre studentët më të mirë në brezin e saj, me një notë mesatarembi 9.6.
Tani ajo dëshiron të bëhet profesore e gjuhës angleze, dëshirë të cilën kjo vajzë e guximshme përfundimisht do të arrijë ta realizojë, duke marrë parasysh të gjitha arritjet e saj.
Ajo ka lindur në luftë, dhe gjatë kohës sa ishte fëmijë, te ajo u kryen tre operacione, me të cilat u kthye një përqindje e vogël e të pamurit. Por më vonë ajo sëmuret nga glaukoma, apo presioni i lartë i gjakut në sy, gjë që shkakton humbjen pothuajse të plotë të shikimit. Sot ajo mund të shohë vetëm ngjyra, dritë dhe hije.
Xhenana jeton në Zenicë me bashkëshortin e saj, Kenanin. Ai e mbështet atë në çdo gjë. Ndërsa ecim nëpër udhën e mbuluar me gjethet e rëna të vjeshtës, Xhenana flet për betejën, përpjekjet dhe dëshirën që e kishte udhëhequr gjatë gjithë këtyre viteve.
“Unë kam lindur gjatë luftës, dhe kam lindur krejtësisht e verbër. Kur e vunë re këtë prindërit e mi, më dërguan në një spital në Tuzla, ku kisha tre operacione për të kryer. Dy operacionet në syrin e djathtë nuk ishin të suksesshme; në fakt ato vetëm sa e përkeqësuan situatën, derisa operacioni në syrin e majtë arriti të ma kthejë një përqindje të të pamurit. Kur isha tre apo katër vjeçe, filloi të zhvillohet një glaukomë e cila gradualisht e shkatërroi atë pak shikim që kisha. Sot shoh vetëm pak, ngjyra, dritë dhe hije”, rrëfen historinë e saj kjo vajzë e guximshme.
Ajo ka lindur në Busovaça dhe kur ishte 6 vjeçe ka filluar mësimet në Qendrën për Fëmijët dhe të Rinjtë e verbër dhe shikim të dëmtuar në Nexhariq. Në Qendër ajo mbaroi shkollën fillore dhe të mesme. Pastaj asaj iu mundësua të studiojë në SHBA, ku kaloi një vit.
“Unë mbarova një vit të shkollës së mesme në Amerikë në programin The Kennedy-Lugar Youth Exchange & Study (YES). Pastaj u diplomova në Gjuhën dhe Letërsinë Angleze në IUS në Sarajevë ku isha e treta në fakultetin tim. Më vinte mirë që të tjerët vlerësonin përpjekjet dhe angazhimet e mia. Edukimi universitar nuk ishte i lehtë. Kishte ngjitje dhe rënie, shumë përpjekje dhe braktisje. Në fillim, ishte shumë e vështirë për t’u përshtatur me kushtet të cilat i ofronte një fakultet jo të përshtatur për njerëzit me aftësi të kufizuara”, rrëfen Xhenan, e cila nuk rresht së ecuri në udhët e vështira të jetës, ku edhe pse e vërbër, sheh shumë larg…me ëndrra, ambicie dhe vullnet të pashuar. /tesheshi.com/