Një mjet shpërthyes është hedhur sot në shtëpinë e dy serbëve në Zubin Potok, pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Njoftimin e raporton portali KoSSev, i cili thekson se lajmin e ka konfirmuar edhe policia.
Në shtëpinë e S.T. dhe P.R. bombat janë hedhur rreth orës dy. Nuk ka të lënduar, por janë shkaktuar dëme material.
Ndërkaq policia ka nisur operacionin “Unaza e çeliktë” në ndjekje të të dyshuarve, që vetëkupton bllokimin e drejtimeve rrugore nëpër të cilat kanë mundur të ikin, si dhe kontrollin e automjeteve dhe të personave në to.
Sulmin në fjalë e ka dënuar kryeministri Haradinaj i cili e ka quajtur akt të papranueshëm që cenon jetë njerëzish dhe synon të pengojë përpjekjet për ndërtimin e një shoqërie demokratike e gjithëpërfshirëse dhe të mbajë në tension qytetarët e vendit.
Haradinaj kërkon nga organet e rendit që sa më shpejt të kapin dhe të sjellin përpara drejtësisë autorët e sulmit, ndërkohë që iu bën thirrje edhe qytetarëve të ndihmojnë autoritetet në zbardhjen e këtij akti kriminal. /tesheshi.com/