Një bombë tjetër ka hedhur në Prishtinë kreu i liberaldemokratëve serbë, Çedomir Jovanoviç.
Në një takim që ka mbajtur në universitetin AAB, ish-numri dy i qeverisë serbe tha se Vuçiç e ka dorëzuar Kosovën pasi ja kanë vënë me detyrim-përcaktim, por po i dorëzon “në tepsi” Presidentit të Rusisë gjysmën e Bosnjës.
“Mendoj se nëse i tërë rajoni nuk shkon drejt Evropës, as Serbia nuk do të shkojë drejt Evropës. Tani janë zgjedhjet në Bosnje dhe ç’ndodh nëse atje i fiton ai që as vet nuk e njeh shtetin që do ta udhëheqë? A e vënë ata gishtin në kokë dhe të mendojnë se askush nuk e ka sjellë kurrë atë problem të Bosnjës? Tani Vuçiçi po i kthehet nacionalizmit dhe thotë se nëse e jep Kosovën do ta marrë Bosnjën; por kur e merr Bosnjën cili është hapi tjetër?”
Kjo ishte pyetja e Jovanoviç, i cili ka lëshuar disa alarme sot në Prishtinë.
Jovanoviç, në ligjeratën e tij tha se do të ishte mirë që Serbia të ishte shteti i parë që do ta njihte Kosovën.
“Në marrëdhëniet normale do të na mundësohej neve që të vijmë këtu pa kurrfarë droje, qoftë ajo shtëpi e ndonjë familje, manastir, punë, sport apo çfarëdo qoftë. Ju qartë e dini se çka doni, ju e doni anëtarësimin në OKB dhe njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë”, tha ai.
Ndërkaq, duke kujtuar ish-shefin dhe bashkëpunëtorin e tij Zoran Gjinxhiç, Jovanoviç tha se ai u vra pikërisht se ishte gati për të njohur Kosovën.
I pyetur nga studentët e Kolegjit AAB se nëse do të ishte gjallë Zoran Gjingjiç a do ta njihte pavarësinë e Kosovës, ai u përgjigj duke thënë se nuk ka kuptim që problemi i Kosovës të mbetet gjithmonë i hapur dhe se po të ishte gjallë Gjingjiç, sipas tij, këtë pakuptimësi do ta eliminonte. /tesheshi.com/