Mazhoranca e konsideron një kapitull të mbyllur reformën territoriale, për të cilën demokratët kërkojnë rishikimin e hartës. Madje për PD-në, rishikimi i ndarjes territoriale duhet bërë në një kohë me reformën zgjedhore, pasi edhe vetë kryeministri ka pranuar dështimin e saj,
Në këtë kërkesë, PD ka arritur të marrë mbështetjen e LSI-së, e cila gjatë kohës që ishte në aleancë me socialistët, ka votuar pro ndarjes së re territorial.
Por Bledi Çuçi, ish-ministri i pushtetit vendor, aktualisht bashkëkryetari i komisionit të reformës zgjedhore, thotë se ajo reformë ka përfunduar por edhe nëse do të kishte një diskutim ai nuk mund të niste duke përcaktuar kushte për numrin e bashkive.
“Ajo ka përfunduar. Më habit në fakt qëndrimi i LSI pasi ajo ishte aleate me ne dhe reformën territoriale e ka mbajtur si një kartë të suksesit të bashkëqeverisjes”, thekson Çuçi, raporton Tv Klan.
Prioritet i komisionit të reformës zgjedhore do të jenë rekomendimet e OSBE/ODIHR që për shkak të bojkotit të opozitës nuk u realizuan nga komisioni pararendës.
Por PS duket e hapur dhe për ndryshimin e sistemit, edhe pse Çuçi nuk zbulon cili prej tyre preferohet nga socialistët.
Çuçi thotë se realizimi i votës së emigrantëve është një domosdoshmëri që do të bëhet realitet nga ky komision duke u përfshirë në ligjin elektoral. /tesheshi.com/