Bindja Demokratike, partia e re e udhëhequr nga Astrit Patozi, po reagon ashpër ndaj faktit se dy partitë e dala jashtë sistemit, duke bojkotuar njëherësh edhe zgjedhjet – PD e LSI, kërkojnë të kenë komisonerë në qendrat e votimit, edhe pse nuk do garojnë.
“Partia Socialiste, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, prej më shumë se një vit e kanë tërhequr politikën shqiptare në skutat e antipolitikës.
Herë në bashkëpunim dhe herë në karshillëk me njeri tjetrin, ato ia kanë arritur të çmontojnë sistemin e drejtësisë, duke e lënë vendin pa gjykatat e nivelit me të lartë dhe me drejtësinë në agoni, kanë plagosur rëndë parlamentarizmin.
Ndërsa së fundmi me djegien kolektive të mandateve, ata po përpiqen të finalizojnë planin për disbalancimin dhe nxjerrjen nga binarët të sistemit demokratik, duke u vetëpërjashtuar nga zgjedhjet vendore.
Në fakt, sulmi ndaj sistemit demokratik është i paprecedent. Rreziku që vjen prej tij, nëse sulmi tolerohet do të ishte katastrofik”, tha në një deklaratë Fabian Topallaj, një nga drejtuesit e Bordit të Bindjes Demokratike.
Po kaq ashpër reagoi një ditë më parë dhe vetë Patozi, ndërkohë që dhe mazhoranca e ka konsideron të papranushëm atë që kërkon PD-LSI. /tesheshi.com/