Presidenti amerikan Joe Biden e quajti Kinën një “bombë me sahat” për shkak të sfidave ekonomike me të cilat po përballet ai vend.
“Ata kanë disa probleme. Nuk është mirë, sepse kur të këqijtë kanë probleme, ata bëjnë gjëra të këqija”, tha Biden në një tubim politik në shtetin e Utah, sipas Reuters.
Ai shtoi se Pekini është në telashe, duke theksuar se nuk dëshiron të dëmtojë Kinën, por dëshiron një marrëdhënie racionale me atë vend.
Deklaratat e tij i referohen rënies së ekonomisë së Kinës në deflacion, tha agjencia britanike, duke shtuar se Kina mund të jetë duke hyrë në një epokë të rritjes ekonomike shumë më të ngadaltë, me çmime të konsumit dhe paga të ndenjura.
Ndalimi i investimeve
Presidenti amerikan nënshkroi një urdhër ekzekutiv të mërkurën që ndalon disa investime amerikane në Kinë në sektorin e gjysmëpërçuesve dhe mikroelektronikës, sektorin e teknologjisë kuantike të informacionit dhe disa sisteme të inteligjencës artificiale.
Ministria e Jashtme kineze tha se vendimi i SHBA-së cenon rëndë parimet e ekonomisë së tregut dhe konkurrencës së ndershme.
“Ky është një akt që minon rendin ekonomik dhe tregtar ndërkombëtar, destabilizon zinxhirët e furnizimit global dhe dëmton interesat e Kinës dhe SHBA-së dhe komunitetit global të biznesit”, tha ministria kineze në një deklaratë. /tesheshi.com/