Kryesia e Lëvizjes BESA ka zgjedhur n/kryetarin e saj Zeqirija Ibrahimin, si kandidat për komunën e Çairit në Shkup, në zgjedhjet e ardhshme lokale.
Çairi, një bastion i BDI-së që për momentin drejtohet nga Izet Mexhidi, është njëherësh dhe kryeqendra e shqiptarëve në kryeqytetin maqedonas, me një peshë sa politike poaq dhe sociale e shoqërore, për faktorin shqiptar.
Dhe ndërkohë, BESA, fitoren më të madhe të saj politike që nga themelimi, e ka arritur pikërisht në këtë komunë, ku në zgjedhjet e përgjithshme dhjetorin e kaluar, arriti të mund me vota rivalen BDI. Ishte kjo një shenjë e qartë e avancës politike të Lëvizjes BESA duke fituar me ritme të shpejta përkrahjen e elektoratit shqiptar.
Tashmë ajo do synojë marrjen e Çairit në Lokalet e afërta, duke kandiduar një ndër figurat kryesore të saj, Zeqirija Ibrahimin, i njohur ndryshe si Zeka.
Ky i fundit, përveçse gëzon një status të lartë intelektual në shoqërinë maqedonase dhe specifikisht në atë të shqiptarëve në këtë shtet, është njëherësh dhe njeriu më aktiv i BESËS në jetën parlamentare. /tesheshi.com/