Intervistoi: Blendi Gashi
Një grup qytetarësh, të prirë nga disa aktivistë të shoqërisë civile, kanë protestuar për herë të dytë në sheshet kryesore të Prishtinës, për të kërkuar drejtësi për Astrit Deharin, aktivist i Vetëvendosje-s i cili vdiq në burgun e Prizrenit.
Protestuesit ashtu si edhe herën e kaluar kërkuan dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, Dhurata Hoxha, dhe atij të Brendshëm, Skënder Hyseni; si dhe kërkuan hetim të pavarur për zbardhjen e rastit.
Në protestë kanë marrë pjesë edhe prindërit e Astritit, babai Avniu dhe nëna Xhemile, të cilën nënshkruan peticionin e hapur sot për drejtësi për djalin e tyre të vdekur. Protesta ka zgjatur vetëm 26 minuta, në shenjë të moshës së aktivistit të vdekur.
Portali tesheshi.com ka zhvilluar një bisedë me një prej organizatoreve të protestës, Besa Luzha, aktiviste e shquar e shoqërisë civile.
Besa e cila në të dy protestat ka qenë zëri kryesor duke kërkuar drejtësi për Astritin dhe përgjegjësi institucionale, ka bërë të ditur se marshet protestuese do të vazhdojnë derisa të zbardhet rasti i Astritit.
Sot u organizua për herë të dytë marshi protestues përmes të cilit kërkohet drejtësi për Astritin. A do të mbahen edhe protesta tjera?
Nuk është puna vetëm të protestohet në mënyrë fizike. Presionin qytetar do të mundohemi ta organizojmë në të gjitha mënyrat. Sot së bashku me qytetarët protestuam dhe njëkohësisht filloi nënshkrimi i peticionit. Besoj që deputetët dhe institucionet kur e shohin që një numër i madh i njerëzve po e mbështesin dhe po kërkojnë drejtësi, do të reagojnë dhe pastaj si organizatorë do të mundoheni edhe në forma tjera ligjore, nëse duhet ngritja e padisë, ose forma tjera që të bëhet presion më i madh sepse nuk guxojmë si qytetarë të lejojmë që institucionet e drejtësisë të jenë kaq të paafta.
Çfarë nëse institucionet e drejtësisë dhe vet shteti nuk merrë për bazë kërkesat tuaja?
Protestat do të vazhdojnë dhe aspak nuk është e rëndësishme a dalin njëzet, pesë mijë apo sa njerëz, por me rëndësi është që protestat të vazhdojnë dhe të kërkohet drejtësi.
A besoni se do të vihet drejtësia në vend për Astritin?
Shpresoj se do të ndodh një gjë e tillë. Nëse nuk vihet drejtësia në vend, atëherë shteti i bie se ka dështuar.
Si e vlerësoni raportin e nxjrrë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore për rastin e Astritit?
Kërkesa e organizatorëve të protestës dhe vet protestesve është që të bëhet hetim i pavarur, i paanshëm dhe jo nga institucionet që e kanë bërë hetimin. Nuk e kam lexuar raportin pasi nuk kam pasur kohë, por vet fakti që një raport thotë diç tjetër kurse një raport krejt diçka tjetër kjo tregon se nuk ka institucione që veprojnë me procedura standard dhe kjo nuk bën të lejohet në një shtet demoraktik siç pretendon me qenë Kosova.
Ministrja Hoxha përkundër kërkesave tuaja nuk po dorëhiqet. A mendoni se ajo edhe nëse do të dëshironte të ndërmerrte një hap të tillë nuk lejohet nga “shefat” e saj?
Unë nuk kisha pas qef me qenë nën lëkurën e asaj ministreje (Dhurata Hoxha) me bart në vete vdekjen e një djali të ri dhe mos me dhënë përgjegjësi, as mos me i shkarku as njerëzit që e kanë pasur në përgjegjësi jetën e tij. Dihen ato, por sigurisht është dështim dhe në njëfarë mënyrë pranim i përgjegjësisë dhe dihet se politikanët tanë nuk e pranojnë përgjegjësinë e tyre.
Kur do të organizoni marshin e radhës protestues? Çka pritni nga peticioni që sot veç ka nisur?
Nuk e di, do të lajmërohet opinioni me kohë. Ta shohim se do të ketë efekt peticioni i nënshkrimeve, të shohim a do të mbahet mbledhja e Parlamentit për rastin Dehari dhe mandej do të dilet me njoftim. Nënshkrimet do të dërgohen në parlament. Sipas ligjit kërkohen 10 mijë nënshkrime për seancë të jashtëzakonshme të provokuar nga qytetarët. Presim që t’i mbledhim këto nënshkrime dhe të mbahet seanca plenare. /tesheshi.com/