Gara mes dy pretendentëve demokratë për kandidaturën presidenciale në SHBA vijon të jetë e fortë, edhe pse dukshëm ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, ka një epërsi.
Ndonëse humbi ndaj senatorit të Vermontit në Uest Virgjinia, Clinton thjesht ka ngadalësuar hapin e saj, por ajo mbetet favorite për të qenë kandidate e demokratëve në zgjedhjet presidenciale të 8 nëntorit.
“Ne do të luftojmë për çdo votë,” u tha Sanders mbështetësve të tij, i entuziazmuar pas kësaj fitoreje dhe asaj të mëhershmes në Indiana. Megjithatë, senatori është shumë pas Clinton-it në numrin e delegatëve përkrahës.
Peshën e fitores së tij, Sanders e ka shtuar kur ka kujtuar se Uest Virgjinia është një shtet ku Hillary Clinton ka fituar me 40 pikë ndaj Barack Obama-s në 2008-ën.
Gjithsesi, pavarësisht garës me Clinton-in, senatori i Vermontit e ka bërë të qartë se synimi është mundja e Donald Trump-it. “Ndërsa kemi shumë mospajtime me sekretaren Clinton, ka një fushë ku pajtohemi, dhe kjo është se ne duhet të mundim Donald Trump-in.”
Beteja e ardhshme mes dy kandidatëve demokratë është më 17 maj.
Ndërkohë, zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden, ka shprehur besimin se Clinton do të jetë kandidatja e demokratëve e se ajo do të bëhet presidente. “Ndjehem besimplotë,” ka thënë ai, “se Hillary do të jetë kandidatura, e se ajo do të jetë presidentja e ardhshme.”
Në kampion republikan, Donald Trump, i mbetur dhe pa rivalë, ka fituar lehtësisht në Uest Virgjinia dhe në Nebraska. /tesheshi.com/