Bashkimi Europian po i heq “bombat” nga dora Nikolla Gruevskit në mënyrë që të mos “djegë fushën” deri në zgjedhjet e parakohshme.
Siç bëhet e ditur ambasadori i BE në Shkup, Aivo Orav, ka paralajmëruar kreun e VRMO-DPMNE që të mos minojë procesin që arritën të gjitha palët një ditë më parë së bashku me komisionerin Johanes Hahn.
Ambasadori i BE ka diskutuar sot me Kryeministrin rreth rrugëve për të çuar vendin në zgjedhje të parakohshme pa trauma.
Deri në atë kohë BE do të jetë monitoruesi dhe administruesi i të gjithë situatës. Ambasadori pas takimit deklaroi se ka dëgjuar qëndrimin e Gruevskit për çështjen e sundimit të së drejtës dhe rikthimin e besimit tek institucionet.
“Kërkuam nga të gjithë faktorët relevant të përkushtohen me vullnetin e mirë me qëllim që të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme për dalje nga kriza”, deklaroi euroambasadori Orav.
Ai shtoi se me Gruevskin kanë biseduar për të gjetur një mënyrë për dalje nga kriza politike dhe se porosia kyçe sipas tij, ishte që interesat e qytetarëve të jetë mbi interesat e partive politike. Në këtë takim kanë marrë pjesë edhe ambasadorë të tjerë të vendeve të BE-së.
Gjatë ditëve të ardhshme pritet të zhvillohen takime edhe me protagonistët e tjerë politik në vend.
/tesheshi.com/