Nga Mensur Krasniqi
Zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani, i ftuar në emisionin e televizionit maqedonas Top Tema ka zbuluar se cilat kanë qenë pikat për të cilat BDI nuk kanë rrënë dakord me partnerin e koalicionit, VMRO-në për formimin e qeverisë. Sipas tij, për herë të parë nuk kanë pasur problem që ta bindin partinë maqedonase mbi përdorimin e gjuhës shqipe në nivel republike, por e papranueshme nga partia e Gruevskit ka qenë funksionimi i shtetit sipas raportit të Pribe-së dhe vazhdimin e mandatit të Prokurorisë Publike Speciale.
“Me VMRO-DPMNE jemi pajtuar në të gjitha pesë opsionet e parashtruara nga Bashkimi Demokratik për Integrim, ku ndër to është edhe përdorimi i gjuhës shqipe; por jo edhe në çështjen e shtetit të së drejtës, siç është raporti i Pribe-së, si dhe mandatin e Prokurorisë Speciale. Dua të them së në historinë e Republikës së Maqedonisë, për së pari herë nuk kemi asnjë dallim me VMRO-DPMNE-në dhe LSDM-në për çështjet etnike. Nëse deri sot tërë problemi ka qenë i lidhur më nenin 5 të Kushtetutës, se a është përdorimi i gjuhës shqipe në nivel lokal apo në nivel shtetëror, ju them se tash nuk kemi asnjë dallim në çështjet etnike. Kjo është një porosi se me të dy partitë maqedonase jemi në një periudhë ku nuk kemi dallime. Kjo është një arritje e madhe për marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve dhe e cila duhet vetëm të formalizohet”, tha zëdhënësi Osmani.
Krahas kësaj, ai foli edhe mbi mundësinë e marrjes së mandatit për formimin e qeverisë nga ana e liderit të LSDM-së, Zoran Zaev. Në këtë rast, siç sqaroi Osmani, deputetët e BDI-së do t’i jepnin nënshkrimet e tyre për këtë mandat, por vetëm nëse paraprakisht merren vesh plotësisht për kushtet e shqiptarëve.
“Do të nënshkruajmë për Zoran Zaevin, kreun e LSDM-së, që të marrë mandatin për formim të qeverisë së re atëherë kur me të do merremi vesh plotësisht për të formuar qeverinë”, tha ndër të tjerash Bujar Osmani.
Po bëhet një javë që kur ish-kryeministri dhe njëherësh lider i VMRO-së, Nikolla Gruevski, humbi mundësinë kushtetuese për formimin e qeverisë së re. Dhe në po kaq kohë, lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, është në pritja që ta marrë atë. Por nga kreu i shtetit Ivanov, është kushtëzuar që të mbledhë 60 nënshkrime.
Ndërkohë, prej partive opozitare, për dallim nga Aleanca për Shqiptarët dhe Partia Demokratike Shqiptare, të cilat nuk kanë shpalosur qëndrimet e tyre, Lëvizja BESA tashmë ka dhënë mesazhin e saj, ku do të votonin qeverinë e re nëse Zaevi pranon plotësisht platformën shqiptare. Mirëpo votimi i qeverisë, sipas anëtarit të Kryesisë Qendrore të Lëvizjes BESA, Arianit Hoxha nuk do të thotë se ata do të pranonin të futen në qeveri.
“Nëse LSDM dhe Zoran Zaevi e pranon platformën shqiptare ne do ta votojmë qeverinë e re për t’ia siguru 61 deputetë, por për të hyjë në qeveri duhet të hapet çështja e ridefinimit”, ka thënë Hoxha. /tesheshi.com/