Mensur Krasniqi
Skandali i radhës godet partitë qeverisëse në Maqedoni. Duke u thirurr në informatat “jozyrtare” të portalit maqedonas “Plusinfo”, mësohet se ndryshimi i Ligjit për Prokurorin Special, në pjesën për votimin sipas mënyrës së Badenterit, pra sipas proporcionalit të kombësive, është ndryshuar pas një marrëveshje të fshehtë mes VMRO-DPMNE dhe BDI-së.
Ky ndryshim ka të bëjë me votimin e Prokurorëve, sipas parimit të Badenterit edhe në Këshillin e Prokurorëve.
Sipas Plusinfo, përfaqësuesi i BDI-së në grupet e punës, Artan Grubi nuk është përgjigjur se partia e tyre a do të reagojë publikisht lidhur me skandalin, ndërsa koordinatori i grupit parlamentar të BDI-së, Talat Xhaferri, deklaroi se nuk është i përfshirë në procesin e negociatave dhe se nuk ka asgjë burimore, përveç asaj që ka dëgjuar në media.
“Andaj nuk mund të jap asnjë reagim”, ka deklaruar Xhaferi. Një nga televizionet nacionale publikoi lajmin se përfaqësuesit e VMRO-DPMNE ndryshuan tekstin e Ligjit për Prokurorinë Speciale, që ishte përgatitur dhe dakorduar nga katër partitë politike në negociata: VMRO-DPMNE, LSDM, BDI dhe PDSH, por edhe nga faktorët ndërkombëtarë.
Teksti është ndryshuar gjatë dërgimit të projekt –ligjit në Parlament, ku është shkurtuar shtesa e 2-të nga neni 3, ku është hequr qëndrimi që garanton votimin me Badenter të prokurorëve në Këshillin e Prokurorëve.
Versioni i ndryshuar thotë që votimi me Badenter bëhet vetëm në Parlament dhe jo në Këshillin e prokurorëve. Përfaqësuesit ndërkombëtarë janë shokuar nga ky veprim dhe përbën një skenar që rrezikon marrëveshjen dhe procesin.
/tesheshi.com/