Nga Mensur Krasniqi
Një pjesë e shqiptarëve në Maqedoni i’a ktheu shpinën Bashkimit Demokratik për Integrim. Edhe pse pritej që të jetë protestë historike kundër vendosjes së kryqit gjigant në Butel të Shkupit, kësaj rradhe shqiptarët nuk i’u përgjigjën ftesës së BDI-së për pjesëmarrje në protesta. Në këtë protestë morën pjesë një numër i vogël aktivistësh të BDI-së të kryesuar nga deputetë dhe funksionarë të kësaj partie.
Partneri i koalicionit të BDI-së, VMRO-DPMNE nëpërmjet qindra policëve tentoi të pengojë protestuesit për të shkuar në drejtim të Butelit, por ishin zyrtarët e BDI-së që thyen gordonin e policor, dhe kështu edhe njëherë të provokojnë një situatë tensionuese, që fatmirësisht kësaj radhe populli nuk u viktimizua.
Ndër funksionarët që u panë në krye të protestave ishin Izet Mexhiti, kryetar i komunës së Çairit, Ilmi Selami, zëvendësministër i Mbrojtjes, deputeti Artan Grubi, deputetja Ermira Mehmeti dhe të tjerë.
Po edhe përkundër paralajmërimeve të Mexhitit, Grubit dhe Mehmetit që kryqi nuk mund të vendoset pasi që kjo paraqet provokim për ndjenjat e shqiptarëve dhe nuk i shërben jetës multietnike në vend, ishte ai, kryetari i kongresit maqedonas, Todor Petrov që para të pranishmive maqedonas theksoi se në komunën e Butelit 70 përqind e popullatës i takojnë përkatësisë fetare krishtere, andaj do të vendosen edhe kryqe tjera.
“Kryqi financohet nga kongresi dhe i jepet në pronësi komunës. Ju të rinj ju bëj thirrje që të mbroni të drejtat tuaja”, ka thënë Todorov.
Në ceremoninë e hedhjes së gurrëthemelit vërehej prania e disa funksionarëve të VMRO-DPMNE-së, në mes tyre edhe të kryetarit të Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski, Dime Spasov, Vlladimir Peshevski.
Rikujtojmë se vendimi i Këshillit komunal të Butelit për vendosjen e kryqit me lartësi prej 55 metrave është marrë brenda natës dhe pa respektuar parimin e badenterit (pakicës shqiptare në këtë komunë). E gjithë kjo vjen si kundërpërgjigje ndaj vendosjes së Shqiponjës dykrerëshe në komunën ngjit me Butelin, atë të Çairit.
Nëse me të vërtetë bëhet fjalë për çështje inati mes këtyre dy subjekteve politike, ose është situatë e inskenuar për të tërhequr vëmendjen nga kriza politike, kjo më nuk ka rëndësi. Rëndësi ka që shqiptarët dhe myslimanët tani përveç shqiponjës, si dhuratë nga BDI në vendbanimet shqiptare ta kenë edhe kryqin gjigant. /tesheshi.com/