Këshilli i Bashkësisë Islame në Prizren i është drejtuar me një kërkesë publike komunës për mbulimin e shpenzimeve të varrimit të qytetarëve. Në kërkesë theksohet se ka ardhur koha që Kuvendi i Prizrenit duhet të zgjasë dorën familjeve që janë sprovuar me vdekjen.
Në kërkesën e drejtuar nga KBI për Kuvendin Komunal thuhet se edhe Prizreni duhet të bëjë të njëjtën gjë si komunat e tjera të Kosovës: të mbulojë shpenzimet e varrimit.
“…Veçanërisht kur dihet se pjesa dërmuese e Komunave të Republikës së Kosovës, janë duke i mbuluar shpenzimet e varrimit. Qytetarët e Prizrenit, duke qenë në dijeni për këtë ndihmë, për çdo ditë po kërkojnë që Komuna e Prizrenit ta bëjë një gjë të tillë sa më shpejtë. Me këtë rast, duke avokuar kërkesat e besimtarëve islam, kërkojmë nga Kryetari i Komunës, Kryesuesi, Kuvendi dhe partitë politike, që të mbështesin kërkesën e qytetarëve të Prizrenit, dhe sa më shpejtë të mundësojnë mbulimin e shpenzimeve të varrimit për të gjithë qytetarët pa dallim. Në këtë çështje, Këshilli i Bashkësisë Islame do të ofroj ndihmë të pa rezervë”, -thuhet në fund të kërkesës.
Kjo kërkesë e KBI së Prizrenit ka gjetur përkrahjen e degës së partisë Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). Ky subjekt thotë se për shkak të gjendjen sociale në komunën e Prizrenit, kërkesa e Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit duhet të procedohet sa më shpejt.
“Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës, këtë kërkesë e konsideron shumë të arsyeshme dhe të njëjtën e përkrahë në të gjitha nivelet ku kërkohet vota e përfaqësuesve tanë. Mbështetjen për këtë kërkesë e arsyetojmë me faktin se Komuna e Prizrenit është komuna e dytë më e madhe në vend për nga madhësia dhe buxheti, ndërsa në anën tjetër është komuna me nivelin më të madh për nga numri i të pa punëve dhe shkalla e varfërisë”, – thuhet në komunikatën e LDK-së.
“Kjo kërkesë e Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit sa ma parë duhet të procedohet për ti kaluar procedurat e nevojshme legjislative dhe e njëjta të jetësohet si procedurë që sado pak të lehtësonte dhimbjen për humbjen e më të dashurve te familjet Prizrenase”, thekson LDK. /tesheshi.com/