Kreu demokrat Basha ka vijuar të denoncojë qeverinë duke aplikuar dhe një politikë koronare, në qasjen ndaj krizës pandemike. Ai, krizën prej kësaj pandemie, ia ka faturuar pikërisht qeverisë, duke thënë se “pas dy muajve të mbyllur për shkak të koronavirusit të gjithë shqiptarët e kanë kuptuar se rreziku më i madh për shëndetin dhe ekonominë e tyre është RAMAVIRUSI”.
“Në zonën e Kënetës në Durrës takova qindra qytetarë të rrënuar nga pandemia ekonomike e qeverisë. Si kudo në Shqipëri, edhe këtu RAMAVIRUSI ka shkatërruar ekonominë dhe vendet e punës, duke shtuar hallet për këta banorë të goditur rëndë edhe nga tërmeti i 26 nëntorit.
RAMAVIRUSI është pandemia që torturon tash 7 vjet shqiptarët.
Asnjë popull nuk ka paguar rritje taksash këto 7 vite si shqiptarët. Asnjë popull nuk ka paguar rritje të faturave të energjisë, rritje të çmimit të karburantit si shqiptarët. Kur erdhi dita që njerëzit kishin më shumë nevojë për përkrahje nga buxheti, Edi Rama i braktisi”, argumentoi kreu demokrat, duke e bërë këtë në një tubim në kundërshtim të hapur me masat kufizuese në fuqi, ku të tilla mbeten ende të ndaluara. /tesheshi.com/