Kreu demokrat Basha gjykoi se 30 qershori ishte një faliment për mazhorancën. Sipas tij, pati një bojkot masiv të zgjedhjeve
“Sot shqiptarë braktisën në masë maskaradën e votimit një partiak të Edi Ramës. 85 për qind e votuesve të regjistruar refuzuan votimet e paligjshme moniste. Edi Ramën sot e bojkotuan edhe socialistët, pasi për të sot votuan më pak se në vitin 2015 dhe 2017”, tha Basha. Më tej ai vijoi të denoncojë 30 qershorin si zgjedhje njëpartiake.
“Votimi i sotëm njëpartiak dhe nën kontroll të plotë njëpartiak ishte një ngjarje që nuk ndodhte askund në Europë, që nga koha e komunizmit. Organizata e Rilindjes sot kandidonte vetë, votonte vetë, numëronte vetë dhe çertifikonte vetë. Kjo është parodi tragjike e demokracisë, kushtetutës dhe shtetit të së drejtës”, theksoi Basha. /tesheshi.com/