Kryeprokurori Llalla jo, por “në vend të tij” ka reaguar kreu demokrat Basha, për t’u kundëpërgjigjur ambasadorit Lu. Ky i fundit, pa e përmendur me emër, por lënë të nënkuptuar, akuzoi Llallën se ka mbrojtur politikanët e korruptuar dhe se, edhe kushtetueshmërisht, nuk duhet të ishte më në krye të organit të akuzës. Ndërsa Basha ka tjetër mendim:
“Që Prokurori i Përgjithshëm të luftojë politikanët e korruptuar dhe të lidhur me krimin duhet që ai vetë të mos jetë i korruptuar dhe i inkriminuar. Dhe ka vetëm një mënyrë si mund të garantohet kjo gjë: ai duhet t’i nënshtrohet procesit të vetingut, siç e parashikon reforma në drejtësi e sanksionuar në Kushtetutë.
Që Prokurori i Përgjithshëm të mos jetë produkt i politikës, ai nuk mund të përzgjidhet dhe emërohet nga Edi Rama dhe Sajmir Tahiri, por nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe tre të pestat e Kuvendit siç e kërkon Kushtetuta”, shprehet Basha në FB. /tesheshi.com/