Në një takim me banorët e Kombinatit në Tiranë, pra në zonën elektorale të Saimir Tahirit, kreu demokrat Basha u përbetua për ndëshkim ligjor ndaj ish-ministrit të Brendshëm socialist.
“Nuk ka prokuror të përkohshëm, nuk ka prokuror pa veting, nuk ka prokuror politik që shpëton Saimir Tahirin nga drejtësia. Mbajeni mend, shënojeni dhe ndajeni këtë lajm, këtu, në zonën e tij elektorale me çdo qytetar. Saimir Tahiri, nuk do t’i shpëtojë drejtësisë, sikundër fati i shefit të tij politik është i vulosur”.
Dhe sa i përket këtij të fundit, kryeministrit Rama pra, Basha dha garancinë politike që sipas tij 2018-ta do jetë viti i fundit i tij në qeverisje.
“Politikisht, ky do të jetë viti i fundit i zullumit, Edi Rama dhe banda e tij e kanë vulosur fatin e tyre. Përballje totale në të gjitha frontet dhe protestë pa pushim deri në largimin dhe mundjen përfundimtare të së keqes”.
Takimet e Bashës ishin në kuadër të parapërgatitjeve për një stinë protestash që ai ka paralajmëruar se do të nisin në janar. /tesheshi.com/