Kreu demokrat Basha premtoi se shtatori do shënojë një hap konkret të opozitës në kuadër të luftës kundër korrupsionit, thënë këtë nën bindjen se pushteti është shumë afër. Basha ofroi atë që mund të quhet dhe si “SPAK”-u i tij politik.
“Në shtator do të bëj të ditur planin kundër krimit dhe pastrimit të parave, auditim të gjitha ndërtimeve të veprave publike dhe private. Ka nisur hartimi i disa ligjeve kundër krimit dhe pastrimit të parave të krimit. Një ligj kundër pastrimit të parave. Që ditën e parë në pushtet qeveria do të nxjerrë fond për auditimet e thelluara për gjurmimet e parave në të gjithë botën për origjinën e parave në ndërtim dhe koncesione. Kriza do të përfundojnë me politikanë me pranga në duar, që të mos përsëritet”, tha Basha në një deklaratë.
Sipas tij, krimi ka kapur çdo gjë në Shqipëri, madje duke rrezikuar dhe sigurinë kombëtare.
“Krimi ka kapur të gjitha nvielet e qeverisjes dhe ka mbështetje nga të gjitha nivelet e qeverisjes, nga me i ulëti tek më i larti. Këtë të fundit e dëgjuam me zë dhe me figurë nga Prokurori i Antimafias. Kriminelët e kërkuar në Europë shëtisin të lirë në Shqipëri. Paratë e krimit pastrohen haptazi në Tiranë. Sektori bankar, i ndërtimit dhe turizmit po kapen nga krimi dhe kjo po kthen Shqipërinë në një shtet të falimentuar. Boom-i i ndërtimeve në Tiranë është i financiar nga krimi, si në rastin e Teatrit, por edhe të tjera”, theksoi kreu i opozitës. /tesheshi.com/