Lulzim Bashës i ka mbërritur e para mbështetje nga Europa në lidhje për “çadrën” e tij në Tiranë, nga brenda së cilës, për mbi një muaj kërkohet në mënyrë ultimative largimin i Ramës dhe formimi i një qeverie teknike, duke pretenduar se vetëm kjo do mund të ishte garante për zgjedhje të lira. I ndodhur në Kongresin e PPE-së në Maltë, Basha është takuar me Viktor Orban, kryeministrin hungarez, që është pikërisht njeriu prej së cilit kreu i PD-së është përgëzuar për llojin e aksionit të tij politik.
“Në Maltë, ku po marr pjesë në Kongresin e Partisë Popullore Europiane, u takova sot paradite me Kryeministrin Hungarez Viktor Orban, kryetar i partisë në pushtet FIDESZ. Folëm për situatën në Shqipëri, veçanërisht gjendjen e rëndë të drogës e krimit dhe kapjes së shtetit, si dhe rrezikun që u kanoset zgjedhjeve nga paratë dhe ndikimi i drogës e krimit. Bisedova me kryeministrin hungarez zgjidhjen për daljen nga kriza përmes krijimit të një qeverie teknike që do të garantojë kushtet dhe standardet që zgjedhjet e ardhshme të jenë të lira dhe të ndershme.
Zoti Orban theksoi domosdoshmërinë e standardeve të zgjedhjeve dhe të luftës ndaj krimit dhe korrupsionit për integrimin e Shqipërisë në BE. Ai më përcolli mbështetjen e plotë të partisë së tij ndaj aksionit tonë për garantimin e votës së lirë”, shkruan Basha në fb.
Por duhet kujtuar se Orban përbën si person një ndër problemet me të mëdha të BE-së. I njohur si njeri i linjës filoruse, ai ka shfaqur një sjellje tipike jo-europiane vitet e fundit, përfshirë dhe një qëndrim ksenofob ndaj emigrantëve të ardhur nga Lindja e Mesme.
Në orët në vazhdim, pritet se si do reagojnë aleatët e tjerë të djathtë në PPE ndaj politikës së Bashës, ku deri më tani është mbajtur një heshtje, si formë mesazhi mosdakortësie ndaj “çadrës” shoqëruar me bojkot të parlamëentit. /tesheshi.com/