Lulzim Basha, kreu i PD-së, zhvilloi një takim me shefen e misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë, Anita Thuludhar dhe përfaqësuesin e përhershëm i FMN në Tiranë, Jens Reinke. Në këtë takim, Basha parashtroi të gjitha problematikat ekonomike në vend.
Sipas tij, fillimi i kësaj legjislature shoqërohet dhe nga shqetësimet për situatën ekonomike, ku niveli i lartë i borxhit, në 71% të PBB së bashku me nivelet e ulëta të mbledhjes së të ardhurave, janë duke ndikuar në të gjithë treguesit e tjerë ekonomikë.
“Papunësia ndër të rinjtë vazhdon të mbetet e lartë, dhe biznesi ka tkurrur veprimtarinë e tij duke mos marrë vendime për zgjerim.
Kjo, e shoqëruar me një nivel shumë të ulët të investimeve të huaja, bëjnë të mundur që sektori privat të mos jetë më punëdhënës me kërkesë të lartë.
Në këtë klimë vjen dhe fushata kundër informalitetit e qeverisë e cila në të shkuarën ka sjellë shqetësime të mëdha tek bizneset.
Shqetësues është dhe projekti i 1 miliardë Euro koncesione që qeveria ka lancuar, ku do të kemi përqendrim të fondeve publike dhe në më pak duar, por ajo që është akoma më shqetësuese është ndikimi që do të ketë tek borxhi publik.
Në këto kushte, Partia Demokratike do të mbështesë një program tjetër me FMN-në ku kontrolli është i nevojshëm të jetë akoma dhe më i fortë për shkak të gjendjes ekonomike dhe të bilanceve fiskale me projektin korruptiv të koncesioneve”, thuhet në një njoftim të PD-së mbi takimin. /tesheshi.com/