Top Story kishte si temë debati përplasjen politike të këtyre ditëve pas dekorimit nga ana e presidentit Nishani të 67 ballistëve të pushkatuar nga Mehmet Shehu gjatë luftës.
Por në panelin e të ftuarve, ishte dhe deputetja e PD-së për zonën e Mirditës, Albina Deda, që për mënyrën se si foli rezultoi e pavend ftesa për të qenë dhe ajo e pranishme në debat, edhe për shkakun se nuk e lidh gjë me historinë, por dhe për faktin se është nga një zonë që nuk e lidh asgjë edhe me ngjarjen.
Madje, në një çast kur e morri fjalën tha për ngjarjen se “ajo ishte një makabre vëllavrasëse” në vend të që thoshte “një vëllavrasje makabre”.
Ndërkohë, Petro Koçi, zëvëndësministër i Mbrojtjes, një ndër eksponentët e njohur të majtës, i ardhur nga Muzeqeja, zona ku ka ndodhur ngjarja, tha se pushkatimi i ballistëve ishte padyshim një krim, por sipas tij “krim lufte” që nuk kishte pse të kalonte në dekorim për viktimat.
I këtij mendimi ishte dhe Mustafa Nano që tha se vërtet ata ishin viktima, por që nuk kanë pse të shpallen martirë.
Ndërsa Uran Butka, historian i angazhuar prej vitesh në denoncimin e krimeve të komunizmit, tha se ata gjersa u vranë për arsye lufte e politike duke iu kundërvënë komunizmit, e meritojnë të konsiderohen dhe nderohen si martirë. /tesheshi.cm/