Edhe dy ndeshjet e kësaj mbrëmjeje në një të tetat e Champions League-s janë mbyllur me fitoret e skuadrave pritëse, ashtu si një natë më parë, veçse kanë patur më shumë gola.
Në “Allianz Arena”, Bajerni i Mynihut ka bërë gjithçka për të poshtëruar Arsenalin, që sa vjen e fiket në lojën e vet.
Ashtu siç lexohej mes komenteve mbi këtë ndeshje te BBC-ja, humbja 5-1 e Arsenalit cilësohej si pika më e ulët e Arsene Venger-it në drejtimin e kësaj skuadre.
Ky është rezultati më i thellë i katër takimeve të para të kësaj faze të aktivitetit, me fitoren që erdhi për bavarezët nga dy gola të Thiago Alcantara-s, e nga një të Robben-it, Lewandowski-t dhe Müller-it.
I brishtë, i thyeshëm, pa entuziazëm, ekipi i “topçinjve”, që nuk janë më të tillë, do të ngushëllohej për pak kohë me golin e Sanchez-it, që barazoi përkohësisht rezultatin në pjesën e parë.
Sfida tjetër, ajo në “Santiago Bernabeu” mes Realit të Madridit dhe Napolit, qe më e ekuilibruar në shumë momente të saj, por vendasit u treguan klinikë atëherë kur duhej, duke ndërprerë përmes golash hovin e udhëtuesve.
Reali do të rrezikonte me anë të Benzema-së që në sekondën e 23-të, veçse goli i parë do të shënohej nga napolitanët. Insigne do të tregonte inteligjencë në minutën e 8-të, kur do të shfrytëzonte pozicionimin jo të mirë të portierit të Realit e do të shënonte nga distancë mjaft e largët.
Barazimi nuk vonoi të vinte. I shumëkritikuari Benzema ekuilibroi gjithçka në minutën e 18-të. Nisja e pjesës së dytë solli dhe dy gola të tjerë për madrilenët. Më së pari shënoi Kroos, ndjekur nga një gol spektakolar i Casemiro-s.
Napoli do të përpiqej të ngushtonte hendekun, do të krijonte raste shënimi, por nuk do ta ndryshonte më rezultatin.
Fitorja 3-1 e bën Realin të jetë më pranë kualifikimit, por më 7 mars nuk do të jetë aq e lehtë në “San Paolo”. Skuadra e Elseid Hysajt ka tërë potencialin për t’i surprizuar kampionët e Europës. /tesheshi.com/