Smith aplikoi konceptet ekonomike për situata të reja. Ai paralajmëroi se “niveli i përfitimit… është gjithnjë më i lartë në vendet që do të shkatërrohen më shpejt”.
Margaret Theçer thuhet se mbante një kopje të “Pasurisë së Kombeve”, veprën më të famshme të Adam Smith, në çantën e saj të dorës. Ekonomisti më i njohur britanik shfaqet në pjesën e pasme të kartëmonedhave 20-paundëshe. Por, ndërsa disa ide janë të lidhura me të – “dora e padukshme”, ndarja e punës, vetë-interesi – ajo që në fakt ai shkroi shpesh keq-interpretohet.
Jesse Norman, një deputet britanik që ka studiuar për filozofi dhe është një prej mendjeve më të mira të Partisë Konservatore, dëshiron të bëjë drejtësi. Autor i një biografie të vlerësuar të Edmund Burkes, Norman jo vetëm shpjegon shkrimet e Smithit, që variojnë nga astronomia deri tek kolonializmi, por po ashtu tregon se ato janë ende me ndikim edhe sot.
Smith jetoi në kohë ndryshimesh të mëdha, kur Revolucioni Industrial vijonte dhe më shumë njerëz po vinin në dyshim autoritetin e Kishës. Skocia ishte në shumë mënyra një vend më progresiv sesa Anglia, dhe, si profesor i filozofisë morale në Universitetin e Glasgout, Smith ndodhej në zemër të tij.
Në “Pasurinë e Kombeve” dhe veprën më pak të famshme “Teoria e Ndjenjave Morale”, Smith parashtroi përfitimet e këtyre ndryshimeve. Entuziazmi i tij për mendimin e lirë e vendosi në rrugën e ateizmit, edhe pse ai nuk shkoi edhe aq larg sa miku i tij, David Hume. Ai besonte që tregtia e lirë ishte forcë e së mirës. Ai aplikoi konceptet ekonomike për çështje të reja, si skllavëria, duke argumentuar se puna e skllevërve ishte më e kushtueshme sesa puna me pagesë, për shkak se skllevërit nuk kishin incentivë për të prodhuar me shumë sesa minimumi i thjeshtë.
Edhe pse autori Norman ecën në libër me hap të shpejtë, ai mbulon të njëjtin territor sa edhe Nicholas Phillipson në biografinë e tij intelektuale për Smith. Ashtu si Phillipson, Norman i lezeton debatet e tij mendjelarta për punën e Smithit me detaje nga jeta e përditshme e ekonomistit. Smith kaloi gjashtë vjet të mjerë si student në Universitetin e Oksfordit, ku ai mendonte se mësimdhënia ishte shumë më inferiore sesa ajo që mund të merrte në Skoci.
Mund të ketë lexues që do të kenë përshtypjen se mbushja e librit me mite nga jeta e Smithit mund të jetë tema më e kënaqshme. Në të kundërt të asaj që supozohet shpesh, skocezi nuk bëri avokatinë e interesit vetjak të pamëshirshëm. Fjalia e parë e “Teorisë së Ndjenjave Morale” thotë: “Sado egoist që të supozohet njeriu, ka padyshim disa parime në natyrën e tij, që e bëjnë të interesuar për fatin e të tjerëve dhe lumturinë e tyre të nevojshme për të, edhe pse ai nuk merr asgjë prej kësaj përveç kënaqësisë së të parit”.
Nocioni i Smith për “dorën e padukshme” po ashtu është kuptuar keq. Termi shpesh pranohet se do të thotë se tregu do të prodhojë gjithnjë rezultatin më të mirë. Realiteti është më kompleks. E vërtetë që Smith besonte në tregjet – dhe në një masë radikale. Por, ai shihte shumë situata ku tregjet duhet të rregulloheshin. Smith madje, kishte simpati për vendosjen e kufijve në nivelin e interesave mbi kreditë, një politikë që do ta mbështesnin shumë pak ekonomistë modernë.
Norman e parashtron drejt gjithçka, por ai nuk është i pari në këtë drejtim. “Filozofët botërorë” të Robert Heilbroner, publikuar në vitin 1953, ofron një kuptim drejtësisht të nuancuar të qëndrimeve të Smithit. Më së fundmi, Emma Rothschild, një prej historianeve më të mira të mendimit ekonomik dhe Amartya Sen kanë shkruar gjerësisht mbi “përdorimet dhe keqinterpretimet” e Smithit. Megjithatë, libri citon pak nga kontributet e tyre – madje as një artikull tërheqës që Rothschild shkroi në vitin 1994 në të cilin ajo eksploron përdorjen e frazës së Smith “dora e padukshme”.
Libri po ashtu nuk menaxhon kënaqshëm kritikët e Smithit. Shkrimtarë që nga Murray Rothbard tek Joseph Schumpeter e Salim Rashid kanë argumentuar që idetë e Smith janë të varfra thellë-thellë, madje edhe plagjiaturë. Norman pranon që debati i Smith për atë që përbën vlerën është konfuz, mirëpo ai nuk merr kohë për kundërthëniet.
Autori është me më shumë këmbë në tokë kur shpjegon ndikimin dhe rëndësinë e ideve të Smithit sot. Ekonomistët, sidomos në Amerikë, po shqetësohen gjithnjë e më shumë se kapitalizmi është bërë shumë i rehatshëm apo “i manipuluar” siç thotë presidenti Donald Trump. Smith e kishte thënë që në fillim. Ai shprehte zemërimin se kapitalistët do të përpiqeshin gjithnjë të shfrytëzonin njerëzit e zakonshëm, duke formatuar rregullat në avantazhin e tyre ose duke fiksuar çmimet. “Niveli i përfitimit… është gjithnjë më i lartë në vendet që do të shkatërrohen më shpejt”, argumentonte ai. Masa e përfitimit të korporatave në Amerikë është aktualisht në nivelin më të lartë historik. Nëse rregullatorët do të kishin lexuar më shumë Adam Smithin, ekonomia amerikane mund të ishte në formë më të mirë.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/