Baba Mondi është këto orë ndër më të përfolurit në median shqiptare. Një ish-ushtarak që drejton sektin bektashi në Shqipëri, pa ndonjë peshë fjale veç pamjes karakteristike të tarikatit të cilit i përket, ai është gjendur, siç mund të lexohet, në sprovën e rëndë morale të “po”-së ose “jo”-së ndaj një projekti që besohet kurrë nuk e ka çuar ndërmend. Ai ka bërë, kohë më parë, aktin e rëndë të mbështetjes ndaj Izraelit, duke u fotografuar qesim me personazhe gjakatare sioniste, vrasës të pamëshirshëm muslimanësh, e megjithatë, të mos qenit faktor në shoqërinë shqiptare prej ndonjë cilësie apo karakteri të veçantë, e ka lënë në hije dhe për këtë akt të rëndë kontravers.
Tashmë, atij i është kërkuar formimi i një shteti bektashi, dyshueshëm për interesa okulte, gjë që e bën të tillë dhe miqësia me aktorë izraelitë, duke e shndërruar në personazh përcaktues të një kthese të beftë në historinë shqiptare. Ai sot, o mban turpin e së nesërmes o mban bekimin e saj. Por me gjasë, duke i thënë “po” propozuesve, mund të dënohet nga historia me të parën.
Nuk duhet shumë sforco për ta kuptuar se në lojën e shtetit bektashi, ai thjesht është vënë mes një “po”-je e një “jo”-je. Kaq. Asgjë më shumë. Dhe nuk dihet nëse ka kaluar ndonjë natë pa gjumë ne dilemën mes të dyjave.
Nuk dihet gjithashtu nëse ka ndjerë ndonjë peshë historike në atë vendimin që duhej të merrte. Tashmë dihet që i ka thënë “po”, pa e ditur nëse ai vetë është konsultuar me ndonjë të mençur brenda vetë bektashinjve. Veç tij, shoqëria shqiptare nuk njeh ndonjë personazh tjetër bektashi, me petk fetar, që të mund të ishte një zë alternativ me Baba Mondin. Për momentin, Bektashizmi shqiptar nis e mbarron me të. Ndaj, Baba Mondi duhet gjykuar krahasimisht me ish-figura bektashie të së kaluarës, të cilët mbajnë aureolën e burrave që “luftuan e sakrifikuan për atdhe”.
Dhe me “po”-në e tij, pa u konsultuar as me homologët e tij fetarë, krerët e tre komuniteteve të tjera kryesore, ai po shfaqet si një aksident bektashi në historinë e Shqipërisë.
Kështu, për herë të parë, do kemi një thyerje të mitit atdhedashës të bektashinjve për Shqipërinë. Dhe ajo “histori e mrekullueshme” e rolit bektashi, thënë nga Rama një ditë më parë, referuar një libri të Robert Elsie, zbehet e kthehet kokëposhtë pikërisht nga shteti i ri bektashi.
Dhe i takoi Baba Mondit që si kryebektashi të mos ngjante si batakçi! /tesheshi.com/