Lëvizja “Vetëvendosje” dhe avokati i familjes së Astrit Deharit vazhdojnë të kërkojnë drejtësi për 26-vjeçarin, i cili vdiq më 5 nëntor teksa po qëndronte në paraburgim në burgun e Prizrenit.
Në një konferencë për mediat, ku deputetja Albulena Haxhiu tha se Metush Biraj, prokurori i rastit të Deharit është shërbëtor i kryeprokurorit të Prizrenit, Sylë Hoxha dhe i dyshuar, si një i inkriminuar, ndaj nuk mund ta sjellë drejtësinë e kërkuar.
“Prokurori i rastit të Astrit Deharit është një njeri i dyshuar për veprën penale “konfliktit interesi”, sipas nenit 424 të Kodit Penal dhe hetimet sipas AKK-së mund të hapen në çdo kohë. Metush Biraj, si ushtrues detyre i kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, kishte rekomanduar që për ish-gjyqtarin Elez Hoxha, i dyshuar për korrupsion, të ulej dënimi. Emri i Metush Birajt është nëpër dosjet e komisionit Disiplinor të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe i është njoftuar masa e parafundit disiplinore. Pas kësaj mase është vetëm suspendimi”, ka thënë Haxhiu.
Ndërsa, Tomë Gashi, ka ripërsëritur qëndrimin e tij, se shkaktari i vdekjes së Astritit është asfiksia e dhunshme.
“Astriti ka vdekur nga asfiksia e dhunshme. Askush nuk mund ta bëjë këtë vullnetarisht me mjetin që është përdorur. Është e pamundur, që Astriti t’ia ketë shkaktuar ato lëndime vetes”,- u shpreh Gashi.
Sa i përket raportit të autopsisë, Gashi ka deklaruar se dy ekspertët e pavarur të autorizuar nga familja Dehari janë të gatshëm të dalin me konkluzionet e tyre, por aktualisht nuk dispoznojnë dokumentacionet mbështetëse, pa të cilët nuk mund të realizohet ky raport./tesheshi.com/